Fjalë përshëndetëse me rastin e promovimit të librave kushtuar Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe mesjetës

Prof. assoc. dr. Sabit SYLA

Prishtinë, 17.10.2018

Drejtor i Institutit të Historisë “Ali Hadri”-Prishtinë

Fjalë përshëndetëse me rastin e promovimit të librave kushtuar Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe mesjetës

Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Autorë të veprave që po promovojmë,

Kam nderin dhe kënaqësinë që sot, në Amfiteatrin e Madh të Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”, në emër të Institutit të Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë dhe Këshillit Organizues, të përshëndes këtë eveniment të rëndësishëm promovimi të veprave dokumentare historike dhe historiografike, kushtuar Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.
Në kuadër të manifestimeve mbarëkombëtare që janë organizuar dhe po organizohen këtë vit, duke shënuar jubile të rëndësishëm për ngjarje dhe personalitete të historisë sonë kombëtare, institucioni ynë, ka paraparë edhe botimin dhe promovimin e veprave me karakter historik. Kësisoj, edicionit të botimeve të Institutit të Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë dhe Akademisë së Studimeve Albanologjike në Tiranë, me rastin e këtij viti jubilar, i bashkëngjiten edhe veprat:

1. Skënderbeu dhe porositë për shekullin XXI, e autorit Jakup Krasniqi;
2. Balshajt, e autores Pranvera Bogdani;
3. Studime për Skënderbeun, e autorit Aleks Buda;
4. Regjistri i Sanxhakut të Arvanidit, botim i Akademisë së Studimeve Albanologjike;
5. Nga Shkodra gjer në Vlorë (studime mesjetare), e autorit Konstantin Jireçek, dhe
Këto vepra përmbajnë materiale dhe të dhëna relevante me interes për shkencën e historisë dhe të historiografisë. Ato janë kontribut i veçantë shkencor, që pasurojnë edhe më tej fondin e bibliografisë për periudhën e mesjetës në përgjithësi, të historisë së shqiptarëve në veçanti dhe fazave historike pasuese, për të ndriçuar më tej ngjarje, dukuri dhe personalitete, si ai i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.
Veprat që po promovojmë sot janë rezultat i punës disavjeçare kërkimore-shkencore, që autorët kanë realizuar nëpër arkiva dhe biblioteka kombëtare dhe ndërkombëtare. Prandaj, duke përgëzuar ata, dy nga të cilët tashmë të ndjerë, për angazhimin dhe punën e frytshme, i falënderoj për kontributin e dhënë në avancimin e mëtejshëm të mendimit historiografik për historinë mesjetare shqiptare dhe epokën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.

Ju faleminderit!

2022-06-18T12:00:56+00:00
Go to Top