PËRKUJTIM


Instituti i Historisë “Ali Hadri” – Prishtinë
Institute of History “Ali Hadri” – Prishtina
Institut za Istoriju “Ali Hadri” – Priština

Prof. dr. Faruk Salihu (1947-2021)

Pas një sëmundjeje të gjatë u nda nga jeta historiani i njohur Faruk Salihu, i cili për 37 vjet ishte punonjës shkencor në Institutin e Historisë. Faruk Salihu u lind në Prishtinë në një familje qytetare, ku kreu shkollën fillore dhe të mesme. U diplomua për histori në Universitetin e Prishtinës (1974), kurse magjistroi po në UP (1978). Në vitin 1983 mbrojti disertacionin e doktoratës me titull: “Lidhja e Rinisë së Kosovës, 1948-1978”. Karriera e tij shkencore nisi si asistent në Institutin e Historisë më 1978, për të vazhduar si bashkëpunëtor shkencor më 1978, bashkëpunëtor i lartë shkencor më 1989, dhe titullin e fundit, këshilltar shkencor më 2005.
Opusi i tij shkencor zë fill që nga vitet ‘70-të, kur filloi të botojë studime shkencore nga periudha bashkëkohore në revistat e kohës, si: “Kosova”, “Horizontet e historisë”, “Gjurmime albanologjike”, pastaj në shtypin periodik “Rilindja”, “Zëri i rinisë” etj. Më 2006 botoi edhe doktoratën e tij e cila trajton aspekte të rëndësishme për rininë e Kosovës gjatë periudhës socialiste.
Aktivitetet shkencore të prof. dr. Faruk Salihut u shquan me pjesëmarrjen e tij me kumtesa në tryeza, simpoziume dhe konferenca shkencore si në Kosovë dhe anekënd vendeve ballkanike.
Prof. Faruk Salihu do të kujtohet si njeri me kulturë të përgjithshme dhe me një edukatë të lartë qytetare.

I përjetshëm qoftë kujtimi për prof. Faruk Salihun!

2022-06-18T09:28:30+00:00
Go to Top