“KOSOVA GJATË LUFTËS SË DYTË BOTËRORE 1941-1945”

Dr. Haxhi Ademi

Monografia trajton ngjarje, personalitete dhe fenomene shumëdimensionale politike, ekonomike, shoqërore dhe kulturore-arsimore, që e kanë karakterizuar Kosovën gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në këtë monografi paraqitet një skemë e përgjithshme e Kosovës nën sundimin e Mbretërisë Jugosllave në vitet 30-të të shek. XX; shpaloset situata ndërkombëtare në fillim të Luftës së Dytë Botërore, pushtimi i Shqipërisë nga Italia dhe qëndrimi i Fuqive të Mëdha dhe i shteteve fqinje ndaj pushtimit të saj, si dhe reflektimi te shqiptarët në Kosovë. Gjithashtu është pasqyruar pushtimi i Jugosllavisë dhe në veçanti pushtimi i Kosovës dhe ndarja e territorit të saj në tri zona pushtuese: zona italiane, gjermane dhe bullgare. Pushtimi i Kosovës objektivisht solli ndryshime në të ardhmen e pozitës së shqiptarëve të Kosovës dhe të trevave të tjera shqiptare në Jugosllavi.
Mbi bazën e burimeve të shumëllojshme, janë zbërthyer në imtësi specifikat në tri zonat e pushtimit, ngase secili nga pushtuesit vendosi administratën dhe formoi pushtetin kuisling-lojal. Organizimi i administratës në zonën italiane të pushtimit u bë sipas modelit të Shqipërisë. Efekti ishte i përnjëhershëm, ngase këto masa ndikuan në forcimin e lidhjeve, të unitetit e të vetëdijes kombëtare të shqiptarëve. Italianët me politikën e tyre në fushën e arsimit, i dhanë mundësi popullsisë shqiptare në “Tokat e Liruara” të çliroheshin nga shtypja e mëparshme sllave, dhe të krijonin kushtet objektive në interes të kombit shqiptar, në veçanti në fushën e arsimit shqip.
Sipas marrëveshjes së arritur në Vjenë, në kuadër të zonës së pushtimit gjerman, hynte rajoni i Mitrovicës, Vushtrria dhe Podujeva, pra pjesa veriore e Kosovës, për shkak të industrisë, minierave të Trepçës dhe pasurisë nëntokësore që ofronte ky rajon. Sipas dokumenteve rezulton se gjermanët ndiqnin një politikë të dyfishtë me shqiptarët me qëllim për të gjetur mbështetje në territoret e pushtuara. Andaj, nga njëra anë njihnin “Shqipërinë e Madhe” dhe u premtonin shqiptarëve Mitrovicën, nga ana tjetër, lejonin Mihajloviçin e çetnikët të kryenin mizori ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë.
Politika zyrtare bullgare, mund të themi se ishte vazhdimësi e politikës së ndjekur nga bullgarët gjatë Luftës së Parë Botërore. Nuk u lejua që në administratë të përdorej gjuha shqipe, por për më tepër i gjithë personeli administrativ erdhi nga Bullgaria, ndërsa gjuha bullgare zëvendësoi serbokroatishten, si gjuhë zyrtare, në çdo veprimtari duke përfshirë edhe arsimin.
Jeta politike në Kosovë (1941-1945)- Ndonëse ishte e determinuar nga fuqitë që ishin prezente në Kosovë, në të bënin pjesë edhe elita politike shqiptare. Është periudhë tejet dramatike, ngase rryma të ndryshme përplaseshin pikërisht në Kosovë, duke sjellë tensione të vazhdueshme brenda saj.
Në këtë monografi janë pasqyruar në mënyrë objektive fillimet e lëvizjes së rezistencës shqiptare kundër pushtimit të Kosovës nga Fuqitë e Bllokut dhe përkeqësimi i pozitës së tyre në fund të luftës, Konferenca e Bujanit. Rrethanat në të cilat u zhvilluan ngjarjet në Kosovë në vitet e Luftës së Dytë Botërore ishin vërtet vështirë të kuptueshme, jo vetëm për masat e popullsisë, por edhe për klasën politike. Në parim, për shqiptarët sikur pushtuesit e rinj (gjermanët, italianët dhe bullgarët) ashtu edhe pushtuesit e vjetër (serbët, malazezët) ishin të njëjtë: pra ishin pushtues. Por, qasja ndaj tyre dallonte shumë.
Po ashtu autori ka zbërthyer në imtësi, pozitën e shqiptarëve në Kosovës në përfundim të luftës si dhe trajtimi i tyre nga pushteti “popullor” jugosllavo-komunist. Meqë shqiptarët kanë zhvilluar rezistencë të armatosur për të kundërshtuar pushtetin jugosllav, janë ofruar të dhëna me rëndësi për kontekstin e kësaj kryengritjeje, duke veçuar atë të Shaban Palluzhës në Drenicë, të Molla Idriz Gjilanit në Gjilan etj. Krahas tyre është pasqyruar edhe dhuna mbi civilët shqiptarë në Kosovë dhe viset e tjera në Jugosllavi, që kulmoi me Masakrën e Tivarit. Në këtë monografi është trajtuar dhe aneksimin e Kosovës në Kuvendin e Prizrenit (1945) dhe pasojat politike e juridiket të këtij “kuvendi” për statusin e mëtejmë të Kosovës edhe pozitën e shqiptarëve në kuadër të Federatës Jugosllave. Gjithashtu, është pasqyruar pozita e minoritetit serbë në Kosovë, çështja e “shpërnguljes” së serbëve nga Kosova gjatë Luftës së Dytë Botërore si dhe krimet e Lëvizjes Çetnike në periudhën e luftës.