KATALOG I BOTIMEVE TË INSTITUTIT TË HISTORISË: 1967-2022

në 55-vjetorin e themelimit Instituti i Historisë, si një ndër institucionet më të vjetra kërkimore-shkencore në Kosovë, në 55-vjetorin e themelimit të tij, ju prezanton katalogun e botimeve të veta që përfshijnë harkun kohor 1967-tetor 2022. Këto botime përfshijnë: studime autoriale, monografi, botime të veçanta, botime me dokumente, përmbledhje me kumtesa si dhe revistat shkencore, të përgatitura, kryesisht, nga punëtorët shkencorë të Institutit dhe bashkëpunëtorët e tij. Roli dhe kontributi i Institutit të Historisë në fushën kërkimore-shkencore që nga themelimi deri në ditët e sotme më së miri dëshmohet përmes këtij katalogu, i cili paraqet një pasqyrim mbi veprimtarinë botuese të këtij institucioni. Katalogu ofron informacion bazik bibliografik mbi veprimtarinë botuese të Institutit, jo vetëm për studiuesit e albanologjisë dhe komunitetin shkencor por edhe për një rreth më të gjerë të lexuesve të interesuar. Edhe pse kanë kaluar më shumë se pesë dekada që nga themelimi i këtij institucioni shkencor, i cili fillimisht nisi punën si Ent i Historisë e më pastaj u ngrit në Institut të Historisë, megjithatë falë një pune më mjaft përkushtim të këshillit redaktues të këtij katalogu, u bë e mundur që katalogu të përfshij, pothuajse, të gjitha botimet, të cilat kanë dalë me logon e Institutit që nga viti 1967, kur edhe e kemi publikimin e parë e deri në ditët e sotme. Edhe përkundër përkushtimit dhe punës së kujdesshme të këshillit redaktues, nuk mund të themi se në këtë katalog janë përfshirë të gjitha botimet, të cilat i ka botuar Instituti, edhe për faktin se gjatë viteve të okupimit të Kosovës, Instituti i Historisë veprimtarinë e tij kërkimore-shkencore e zhvilloi në rrethana të jashtëzakonshme. Andaj duke marrë parasysh këto rrethana mund të ketë mungesë të informacionit për ndonjë botim gjatë atyre viteve. Botimi i këtij katalogu në këtë vit të veçantë për Institutin e Historisë vjen në nderim dhe kujtim të të gjithë atyre studiuesve, të cilët më punën e tyre kërkimore-shkencore kontribuuan në veprimtarinë botuese të Institutit.