Fjalë përshëndetëse e drejtorit të Institutit të Historisë “Ali Hadri” – Prishtinë, prof. assoc. dr. Sabit Syla, në Akademi solemne, me rastin e shënimit të 50-vjetorit të Demonstratës së 6 tetorit 1968, në Prizren

Fjalë përshëndetëse e drejtorit të Institutit të Historisë “Ali Hadri” – Prishtinë, prof. assoc. dr. Sabit Syla, në Akademi solemne, me rastin e shënimit të 50-vjetorit të Demonstratës së 6 tetorit 1968, në Prizren

Prizren, më 06.10.2018
I nderuar Kryetar i Komunës së Prizrenit, Z. Mytaher Haskuka,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve kulturore, arsimore dhe shkencore,
Të nderuara zonja dhe zotërinj,

Në zhvillimet historike, në rrjedhën e viteve dhe shekujve, ka ngjarje që për domethënien e tyre qëndrojnë si udhërrëfyese në udhëkryqet e mëdha të historisë. Pa dyshim, një nga ato ngjarje që i dha popullit shqiptar një dimension të ri e që zë vend nderi në histori, janë Demonstratat e vitit 1968.
Në këtë ditë, të para 50 vjetësh, këtu, në qytetin e lashtë të Prizrenit, u organizua demonstrata e parë në Kosovë dhe për herë të parë në mënyrë publike u kërkua Kosova Republikë. Kjo demonstratë do të ndiqej më pas me demonstratat e tjera të shqiptarëve në komunat e Kosovës e të shqiptarëve në Maqedoni dhe Mal të Zi, duke tronditur themelet e shtetit komunist jugosllav pas Luftës së Dytë Botërore. Si të tilla, ato patën jehonë në popull dhe rikthyen një kohë që pothuajse “ishte harruar”.
Shqiptarët kërkonin më shumë të drejta dhe shpallën vendosmërinë e tyre për të luftuar për të drejta kombëtare dhe njerëzore, duke u ngritur kundër autoritetit të shtetit jugosllav që për dekada i kishte shtypur, i kishte ndrydhur dhe vazhdonte të mos i dëgjonte.
Në kohën kur në Evropë kishte filluar Detanta dhe tensioni midis Lindjes e Perëndimit ishte ulur, megjithatë duke patur parasysh vazhdimin e Luftës së Ftohtë dhe konfigurimin bipolar të botës, ku nuk kishte hapësira për kthesa të mëdha politike, lëvizja e shqiptarëve në Kosovë, më 1968, po shkonte drejt një hapi cilësor, duke shënuar fillimin e një procesi të gjatë ndryshimesh në Kosovë, i cili do të vazhdonte të shkallëzohej dhe ngrihej hap pas hapi deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës.
Demonstratat e Kosovës nuk ishin të dhunshme, por shteti përdori dhunë ndaj demonstruesve. Ato u bënë objekt shqyrtimi dhe analize në të gjitha strukturat partiake e nivelet shtetërore të Federatës Jugosllave, të Serbisë dhe të Kosovës. Përveçse u vlerësuan e u trajtuan si armiqësore kundër rendit kushtetues, platformës ideologjike të LKJ-së, po ashtu u konsideruan të organizuara nga nacionalistët e irredentistët, të nxitura e influencuara nga jashtë – me pikësynim Shqipërinë. Kjo e fundit, demaskoi udhëheqjen jugosllave, ishte kundër statusit të Republikës se Kosovës, por ndihmoi e rriti dukshëm autoritetin politik dhe nxiti shpirtin patriotik në luftën e shqiptarëve për të drejtat e tyre kombëtare.

Të nderuara zonja dhe zotërinj,
Historia jonë nuk gjendet më e mbuluar dhe ndaluar nga arkivat e huaja. Përkundrazi, ajo sot është gjymtyrë e lëvizshme e qendrave të ndryshme kërkimore-shkencore dhe dëshmi e drejtpërdrejtë e identitetit tonë kombëtar. Në këtë verë që shkoi, pata fatin të hulumtoj në Arkivin e Autoritetit të Dosjeve në Tiranë dhe në Arkivin e Londrës. Dokumentacioni për Kosovën është mbresëlënës, sepse përmban raporte, analiza, udhëzime dhe informacione të rëndësishme, letra e korrespodenca diplomatike e konsullore nga misionet diplomatike të vendeve të ndryshme evropiane dhe botërore. Këto korrespondenca kryesisht i referohen në mënyrë kontekstuale situatës politike në Kosovë.
Nga fundi i viteve gjashtëdhjetë, problemet politike, ekonomiko-shoqërore e kulturore, qenë rritur në përmasa serioze, si rezultat i kontradiktave të papajtueshme ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve. Detyrat dhe përgjegjësitë në lidhje me to konsideroheshin më delikate. Në këtë drejtim, kishte dy rrugë: ose të punosh në ilegalitet e të krijosh një organizim ilegal, ose të pranosh status quo-në aktuale. Alternativa e parë doli më frytdhënëse duke mos qenë statike në raport me kushtet e brendshme dhe të jashtme ndërkombëtare.
Sot, shënimi i këtij 50-vjetori, siç dihet në kalendarin e historisë sonë kombëtare, përkon me 550-vjetorin e vdekjes së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu; 140-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit; 110-vjetorin e Kongresit te Manastirit; 100-vjetorin e Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës; 20-vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe 10-vjetorin e shtetësisë së Kosovës. Po shënohet pikërisht kur po shkruhet për herë të parë edhe edicioni katër vëllimesh i historisë së Kosovës, ku demonstratat do të zënë një vend të veçantë.
Prandaj, përkujtimi i ngjarjeve më të rëndësishme e më të ndritshme të popullit tonë është i domosdoshëm, sepse në këtë mënyrë ne drejtohemi kah njohja e vlerave tona dhe respektimi i tyre. Jemi të lumtur dhe krenarë, që krahas dhe shoqëruar me vlerat evropiane, historia shqiptare ka krijuar vlera me rëndësi të dorës së parë.
Ju faleminderit!

2022-06-18T12:01:18+00:00
Go to Top