Instituti i Historisë “Ali Hadri” – Prishtinë
Institute of History “Ali Hadri” – Prishtina
Institut za Istoriju “Ali Hadri” – Priština
Thirrje për:
KONFERENCËN SHKENCORE NDËRKOMBËTARE:
“ROLI I GRAVE NË JETËSIMIN E SHTETIT TË KOSOVËS” (Aspekte sociale, kulturore, politike nga 1980 dhe deri në ditët e sotme)
Instituti i Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, në bashkëpunim me Institutin e Historisë-Tiranë, organizon Konferencën Shkencore Ndërkombëtare: “Roli i grave në jetësimin e shtetit të Kosovës (Aspekte sociale, kulturore, politike nga viti 1980 dhe deri në ditët e sotme)”. Në përpjekjet dhe rrugëtimin për zhvillimin e Kosovës, proceset sociale e politike, nga lëvizjet për të drejta te pavarësia dhe shtetndërtimi i Kosovës, gruaja shqiptare ishte pjesë përbërëse dhe e pandashme e të gjithë atyre proceseve. Duke iu referuar këtij fakti, organizimi i kësaj konference do të jetë një mundësi e mirë për të gjithë studiuesit që me kumtesat e tyre të kontribuojnë për rolin e gruas në këto procese dhe periudha historike, duke prezantuar pikëpamjet dhe rezultatet e kërkimeve të tyre shkencore lidhur me ngjarjet dhe proceset të cilat e karakterizuan periudhën kohore nga viti 1980 deri në ditët e sotme, që përkon me temën bosht të kësaj konference. Konferenca është unike pasi për herë të parë studiuesit ftohen për të diskutuar rreth një teme dhe subjekti të patrajtuar në lëmin e studimeve të thelluara profesionale e historike. Institutet janë angazhuar të ftojnë kërkuesit e tyre shkencorë, bashkëpunëtorët, përfshirë studiues të huaj që kanë fokus dhe interes studimor. Konferenca Shkencore Ndërkombëtare mbahet më 5 maj 2023 në Prishtinë. Studiuesit e interesuar, titujt e kumtesave së bashku me abstraktet mund t’i dërgojnë deri më datën 1 shkurt 2023, në këto adresa elektronike: [email protected] dhe [email protected].