Shënohet pesëdhjetëvjetori i themelimit të Institutit të Historisë “Ali Hadri” Prishtinë

Prof. assoc. dr. Sabit SYLA – drejtor i Institutit të Historisë

I nderuar President i Republikës së Kosovës Z. Hashim Thaçi,

I nderuar Ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Z. Arsim Bajrami,

Të nderuar deputetë, përfaqësues të bashkësive fetare,

I nderuar Drejtor i Qendrës së Studimeve Albanologjike në Tiranë, akademik Marenglen Verli,

I nderuar, Akademik Beqir Meta, drejtor i Institutit të Historisë në Tiranë,

Të nderuar profesorë, studentë, përfaqësues të institucioneve shkencore, arsimore e kulturore, të medieve të shkruara dhe elektronike, kolegë e gjithë Ju të pranishëm,

Më lejoni fillimisht t’ju përshëndes në emër të Institutit të Historisë dhe në emrin tim personal, me përgëzimet dhe urimet me të sinqerta për pjesëmarrjen tuaj, në këtë jubile të rëndësishëm të Institutit të Historisë, që shënon pesëdhjetëvjetorin e themelimit, duke qenë njëri ndër institucionet më të vjetra hulumtuese-shkencore në Kosovë.

Të nderuara, zonja dhe zotërinj,

Më 1967 u themelua Enti i Historisë si institucion shkencor me disa seksione,
themelues i të cilit ishte Kuvendi i Kosovës. Ndërkohë, fillet e punës kërkimore-shkencore të studimit të historisë së Kosovës i gjejmë më herët, në janar të vitit 1946 kur edhe u formua Seksioni për Gjuhë, Folklor dhe Histori. Kuvendi i Kosovës, më 18 prill 1978, miratoi Ligjin mbi Punën Shkencore-Kërkimore, e në bazë të këtij ligji Enti i Historisë ngritej në Institut. Po ashtu, Kuvendi i Kosovës, 2 vjet më vonë, konkretisht në mbledhjen e mbajtur më 26 mars 1980, miratoi Ligjin mbi Institutin e Historisë së Kosovës. Një vit më vonë, shpërthyen Demonstratat e pranverës së vitit 1981 dhe pas zhvillimit të tyre, Instituti i Historisë, nga organet politiko-shtetërore, shtypi dhe mjetet e tjera të informacionit, qe shpallur vatër e nacionalizmit dhe e irredentizmit shqiptar. Punëtorët shkencorë të Institutit, akuzoheshin se me punën dhe me shkrimet e tyre indoktrinonin rininë shqiptare. Në veçanti u sulmua drejtori i Institutit, prof. dr. Ali Hadri, të cilin organet e pushtetit e larguan  nga pozita e drejtorit dhe nga puna.

Në fillim të viteve ‘90, Kuvendi i Serbisë merr vendim për vendosjen e masave të dhunshme në Institutin e Historisë. Me vendosjen e këtyre masave, u shkarkua drejtori legjitim i Institutit dhe u emërua drejtoria e dhunshme në krye me serbin Sreten Martinoviq.
Ndërsa, më 30 korrik 1992, Kuvendi i Serbisë miratoi vendimin për ndërprerjen e punës së Institutit të Historisë së Kosovës. Me këtë, edhe punëtorët e tjerë shqiptarë të Institutit u larguan nga puna. Në  këtë kohë u uzurpua biblioteka e pasur e Institutit, që në fondin e vet kishte rreth 20 000 libra, si dhe dokumentacioni i pasur i vjelë në arkiva të ndryshëm të Jugosllavisë dhe vendeve të tjera të botës. Pas vendosjes së masave të dhunshme punëtorët shqiptarë të Institutit u organizuan dhe vazhduan punën dhe Instituti u vendos në një shtëpi private duke vazhduar punën në projekte të ndryshme shkencore. Në këtë periudhë vazhdoi edhe bashkëpunimi me institucionet kërkimore-shkencore të Shqipërisë. Gjatë kësaj periudhe Instituti ka publikuar një numër të konsiderueshëm të botimeve monografike të përbashkëta dhe autoriale. Ndërkohë, pas çlirimit të vendit, më 1999, Instituti vazhdoi punën për realizimin e projekteve të ndryshme kërkimore-shkencore. Qeveria e Republikës së Kosovës në tetor të vitit 2012, miratoi propozimin e ish-kryeministrit Hashim Thaqi që Instituti i Historisë së Kosovës të emërohet me emrin e Ali Hadrit.

Ky institucion, që nga themelimi e deri më sot krahas punës kërkimore-shkencore, organizoi edhe aktivitete të shumta, si: konferenca, simpoziume, sesione dhe tryeza shkencore, duke kontribuar në ndriçimin e ngjarjeve dhe personaliteteve të rëndësishme të historisë që nga historia më e lashtë e deri te ajo e ditëve të sotme. Gjatë punës 50-vjeçare të Institutit, kemi arritur që të evidentojmë 65 aktivitete shkencore, prej të cilave 14 konferenca shkencore, 38 simpoziume, 7 sesione dhe 6 tryeza. Në 65 aktivitetet e organizuara nga Instituti i Historisë, gjatë viteve 1968-2016 kemi arritur që t’i evidentojmë mbi 1 100 kumtesa. Ndërsa kemi afro 100 tituj botimesh të ndryshme shkencore. Kësisoj, pesëdhjetë vite punë hulumtuese-shkencore të Institutit të Historisë, duke marrë parasysh rrethanat në të cilat kaloi Kosova në veçanti gjatë okupimit serb, kanë peshën e rëndësinë e tyre, kur vihen parasysh rrethana dhe kushte jashtëzakonisht të vështira për punë normale, kur dokumentacioni burimor ishte i okupuar nga pushtuesit serbë bashkë me lokalet, bibliotekën, arkivin, depon dhe inventarin tjetër me rëndësi. Kësisoj, ky shënim i këtij përvjetori jubilar të cilin Instituti po e shënon këtë vit është një rast i mirë për të kujtuar të gjithë ata që kontribuuan gjatë këtij rrugëtimi aspak të lehtë, duke vënë në spikamë sfidat dhe rrugën plot me peripeci të mëdha nëpër të cilat kaloi Instituti. Lidhur me këtë edhe Konferenca që sot po i nisë punimet, ka një rëndësi të veçantë në historinë më të re shqiptare, në të cilën do të trajtohen tema të ndryshme, duke ofruar, materiale të reja, mbështetur në metodat e hulumtimit bashkëkohor, me një gjuhë shkencore të bazuar dhe të argumentuar më dokumente relevante e metodën krahasuese dhe analitike. Pasi kumtesat e paraqitura më pas edhe do të botohen, jemi edhe më optimistë që, do të mbushet një boshllëk në historiografinë shqiptare, ngase botimi do të trajton në mënyrë sa më të plotë punën gjysmëshekullore të këtij institucioni shkencor.

Veprimtaria kërkimore-shkencore e Institutit që nga themelimi e deri në ditët e sotme, krahas bashkëpunimit me institucionet vendore, ishte orientuar edhe në bashkëpunimin me institucione shkencore ndërkombëtare. Duke ditur, që: “Bashkëpunimi në aspektin e brendshëm dhe atë të jashtëm, është një detyrë e rëndësishme si një sferë e veçantë në zhvillimin e marrëdhënieve shkencore. Është shprehje e zgjerimit të dijes, mishërimit, ndihmës reciproke, ndikimit progresiv të përparimit kulturor e shoqëror e tani në këtë fillim të shek. XXI, nevojë kohe shumë e domosdoshme dhe orientimi i aktiviteteve të tilla, është i dobishëm në veçanti, duke u zbatuar përmes projekteve të përbashkëta, në studime dhe kërkime shkencore e kulturore, në përvojë, planifikim e reformim. Por, në këtë rrafsh duhen platforma kombëtare afatshkurta, afatmesme e afatgjata duke u bërë kështu edhe piemonte të integrimeve të përbashkëta në planin arsimor, kulturor e shkencor”.

 Të nderuar të pranishëm,

Të arriturat në historiografinë shqiptare, në të kaluarën qe koha në të cilën, arritjet e historianit në fushën e mendimit filozofik e social, sidomos liria politike dhe ideja e zgjedhjes së lirë nuk rrodhen nga nocioni i qenies së tij njerëzore në formën e tij të pastër, por, qe produkt i një zhvillimi të procesit historik që përbënte një hapësirë të kufizuar për ta. Sot, në këtë fillim të shekullit të ri, qasjet më ndryshe nga e kaluara dhe metodologjitë më të avancuara për bërjen e historisë janë një arsye më tepër për të qenë optimist se do të hedhet dritë mbi çështje të panjohura e të pastudiuara sa duhet. Kosova me viset e tjera shqiptare pret më shumë vlerësime shkencore në këtë drejtim. Ne, në këtë drejtim, nuk kemi përmbushur ende disa nga objektivat tona. Megjithatë, Instituti i Historisë mbetet i angazhuar që kërkimit shkencor t’i japë rolin meritor që i takon. Dhe ne, duhet të çmojmë lart rolin dhe kontributin e jashtëzakonshëm që duhet ta ketë Instituti i Historisë, për studimin e historisë së popullit shqiptar, nga lashtësia deri në ditët e sotme, për përgatitjen dhe botimin e përmbledhjeve dokumentare, artikujve, monografive dhe organizimin e veprimtarive shkencore, si: simpoziume, konferenca e tryeza të rrumbullakëta, që hedhin dritë mbi historinë e zhvillimeve politike e diplomatike, ekonomike-shoqërore e kulturore të historisë sonë kombëtare në shkallë ballkanike, evropiane dhe më gjerë. Por, ajo që sot është tejet shqetësuese, pa dyshim është objekti i Institutit, 50 vjet veprimtari botuese shkencore dhe ende pa objekt, i cili, jo vetëm që do të garantonte kushte optimale për perspektivën zhvillimore të Institutit si qendër e mendimit historiografik, përkatësisht të një fushe shumë të rëndësishme shkencore, por mbi të gjitha do të ndihmonte edhe në përgatitjen dhe ngritjen e gjeneratave të reja të studiuesve të cilët do të kontribuojnë në zhvillimin e Kosovës, duke ditur që: historiografia shqiptare, tanimë e pavarur nga diktatet ideologjike dhe politike, është në gjendje të përmbushë nevojën e vetëdijes sonë kombëtare, të kulturës e kujtesës sonë historike. Ajo në këtë drejtim, ka shënuar hapa të vlefshëm, me gjithë vështirësitë nëpër të cilat kanë kaluar shqiptarët. Megjithatë, jo të gjitha çështjet që lidhen me historinë e kombit shqiptar janë të trajtuara në mënyrë të plotë dhe të bollshme. Ne, në këtë drejtim, nuk kemi përmbushur ende disa nga objektivat tona, andaj i kemi vënë vetes për detyrë, që të vazhdojmë në të ardhmen të realizojmë një axhendë të ngjeshur aktivitetesh shkencore, veprimtari botuese e një sërë projektesh.

Pikërisht, ky jubile, po koincidon në kohën kur po fillon të shkruhet një edicion katër vëllimesh i historisë së Kosovës dhe ideja për të realizuar këtë projekt është në përputhje me nevojën permanente për një studim të plotë mbi historinë e vendit tonë aq më tepër kur Kosova tani është shtet sovran dhe i pavarur. Me këtë projekt pretendohet të pasqyrohet historia e Kosovës, si pjesë përbërëse e historisë sonë kombëtare, e cila për herë të parë do të paraqitet si një përmbledhje e plotë. Objektiv kryesor është hartimi i një versioni të parë të historisë së Kosovës si një tekst bazë, i cili mund të plotësohet në të ardhmen me thellimin e hulumtimeve dhe studimeve të reja. Meqë Republika e Kosovës është shtet sovran dhe i pavarur me njohje ndërkombëtare duhet ta ketë të shkruar historinë e vet si tekst akademik i hartuar nga ekspertët tanë dhe të jashtëm. Projekti do të mbështetet mbi bazën e të dhënave burimore dhe të literaturës relevante. Teksti do të paraqet një avancim si në aspektin përmbajtjesor ashtu edhe në atë shkencor e metodologjik. Pasi, studiuesi do të jetë kompetent me zellshmëri, ndershmëri, objektivitet, korrektësi, paanshmëri, verifikueshmëri, tërësi të paraqitjes së materialit, sens kritik dhe gjykim të shëndoshë e aftësi për t’u përqendruar, vërtetësi dhe besueshmëri. Pa këto parime, asnjë trajtim ngjarjeje nuk do të jetë me një realitet të mirëfilltë historik, që të gjendemi kështu përballë situatave të papritura e jashtë realiteteve historike. Përderisa historia nuk mund dhe nuk duhet të shkruhet sipas qejfit të njërit apo tjetrit, por, në bazë të ngjarjeve, të fakteve e dokumenteve. Përveç kësaj, Instituti për kryerjen e këtij projekti tashmë ka angazhuar edhe punëtorë shkencorë si bashkëpunëtorë të jashtëm. Njëkohësisht do të dërgojë për hulumtime shkencore punonjës shkencorë, në: Shqipëri, Turqi, Itali, Francë, Gjermani, Austri, SHBA etj. E tëra kjo, pasi historia e një kombi nuk mund të njihet pa thesarin dhe trashëgiminë historike, gjuhësore e kulturore të të parëve tanë, prandaj vazhdimisht duhet ta rikthejmë kujtesën tonë në periudhat e lavdishme të zhvillimit të kulturës dhe qytetërimit kombëtar. Ky vizion, na jep kurajo e na nxit për angazhime edhe më të mëdha në informimin e brezave të ardhshëm, që të mos përballen me sfidat dhe kërkesat e reja të botës bashkëkohore.

Në fund, edhe njëherë Ju falënderoj për pjesëmarrje në këtë 50-vjetor, duke Ju dëshiruar punë të mbarë e të frytshme dhe qëndrim të këndshëm të gjithë studiuesve mysafirë e atyre vendës, dhe i shpall të hapura punimet e Konferencës shkencore: “50 vjet të Institutit të Historisë”. 

 

Ju faleminderit!                                                                                          Prishtinë, 15 maj 2017

2022-06-18T12:08:54+00:00
Go to Top