Fjala përshëndetëse, Manastir, me 21.11.2017
Fjala përshëndetëse, Manastir, me 21.11.2017
I nderuar, president i Republikës se Shqipërisë, z. Ilir Meta,
Të nderuar ministra e deputetë, përfaqësues te institucioneve arsimore-kulturore e shkencore,
Te nderuar, zonja dhe zotërinj,
Kongresi i Manastirit, për unifikimin e një alfabeti të gjuhës shqipe, radhitet ndër ngjarjet më të shënuara, pra më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare. Për të arritur deri te një Kongres mbarëkombëtar, siç ishte ai i Manastirit, ishte bërë një rrugë e gjatë dhe shumë e mundimshme. Pengesat vinin nga të gjitha anët, pasi në Kongres jo vetëm që do të diskutohej për alfabetin, por edhe për bashkimin e vilajeteve në një të vetëm dhe pavarësimin e Shqipërisë. Në këtë kuadër, një nga fushat më të rëndësishme në këtë proces padyshim ishte ajo e arsimit dhe unifikimit si faktorë përcaktues të komponentës së zhvillimit kulturor e shpirtëror të një populli, me një rol shumë të rëndësishëm në formimin e karakteristikave themelore të vetëdijes kombëtare dhe të superstrukturës shoqërore. Lidhur me këtë, populli shqiptar kishte njohur shkrim e këndim qysh prej kohërave të lashta. Shume huazime me prejardhje latine, me evolucionin e tyre fonetik e kuptimor, dëshmojnë vazhdimësinë e shkrim-këndimit të shqiptarëve pa ndërprerje. Kësisoj, sistemi i edukimit iliro-shqiptar nuk përfshinte vetëm traditën popullore, por dhe zënien e diturive mësimore, që është zhvilluar në gjuhën latine, e cila, sikurse për popujt tjerë, edhe për shqiptarët konsiderohej gjuhë arsimimi dhe inteligjence.
Gjuha shqipe si gjuhë e shkruar, kishte përballë dy gjuhë të rëndësishme të kohës, gjuhën greke dhe atë latine, gjuhë këto me tradita të vjetra letrare. Me vendosjen e sundimit serb në tokat shqiptare, u shtua edhe një gjuhë tjetër, sllavishtja. Pavarësisht kushteve e rrethanave të tilla, arsimi dhe edukimi i brezave të rinj shqiptarë behej brenda vendit, pasi që ekzistonin shkolla pranë institucioneve fetare. Po ashtu të rinj shqiptar shkolloheshin edhe jashtë vendit. Në periudhën paraosmane, në qytete të ndryshme shqiptare kemi një numër të madh intelektualësh shqiptarë, personalitete të shquara të kulturës dhe traditës shqiptare, të cilët bënë emër gjatë shekujve me veprat dhe punën e tyre, madje edhe vunë themele të reja në kulturën e popujve të ndryshëm të vendeve të Evropës e më gjerë, qoftë të Perëndimit, apo të Lindjes. Me këtë rast veçojmë, Gjon Gazulin.
Gjuha shqipe padyshim është njëra ndër gjuhët më të vjetra evropiane, mirëpo si gjuhë e shkruar është dëshmuar vonë. Fillimet për lëvrimin dhe shkrimin e gjuhës shqipe fillojnë gjatë epokës se Humanizmit dhe të Renesancës, kurse zhvillimin më të lartë në shkrime e arriti gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Në këtë periudhë shkruheshin libra të ndryshëm nga autorë laikë e fetarë dhe kështu shqiptarët përjetuan një zhvillim të lakmueshëm kulturor. Megjithatë, ekzistonte një problem madhor meqë gjuha shqipe shkruhej me alfabete të ndryshme, pra nuk kishte një alfabet të përbashkët dhe veprat nuk mund të kuptoheshin nga të gjithë. Për t`i kuptuar të gjitha shkrimet e asaj kohe, është dashur që t`i dish alfabetin çirilik, latin, glakolik, grek dhe atë arab, që ishte pothuajse e pamundur.
Përpjekjet për një alfabet të përbashkët në gjuhën shqipe kanë ekzistuar edhe më herët, sidomos në periudhën e agimit të Rilindjes sonë Kombëtare me Naum Veqilharxhin, i cili shkroi një abetare në gjuhën shqipe. Një punë të mirë në këtë drejtim ka bërë edhe Konstandin Kristoforidhi, i cili gjithashtu shkroi një abetare, duke u përpjekur kështu të krijonte një alfabet në gjuhën shqipe, që bazohej në shkronja greke dhe në ato latine. Pas tyre edhe disa rilindës të tjerë, patriotë të kulluar, u angazhuan me tërë qenien që të hartonin një alfabet të përbashkët, duke u bazuar në shkronjat arabe, greke e latine. Pa dyshim njëri ndër alfabetet më të mira ishte ai i Pashko Vasës, mirëpo edhe Sami Frashëri bëri një alfabet që i përshtatej gjuhës shqipe një tingull për një shkronjë, që i kishte 36 shkronja. Punë dhe arritje më të mëdha për alfabetin shqip janë pasi u krijuan shoqëritë e ndryshme si: “Shoqëria e Stambollit”, e Shoqëria “Bashkimi” dhe Shoqëria “Agimi”. Secila prej tyre formuan alfabete të veçanta, të cilat ishin të ndryshme dhe nuk kuptoheshin lehtë nga njëri-tjetri.
Rrugëtimi deri të Kongresi i Manastirit ishte mjaft i gjatë dhe i vështirë, mirëpo si pararoje e kësaj ngjarje ishin hapja e shkollave në gjuhën shqipe në Korçë, në vitin 1887, pastaj në Korçë (ajo e vajzave) dhe në qytete të tjera. Atë që shqiptarët e shfrytëzuan për të arritur qëllimin madhor, hapjen e shkollave shqipe dhe unifikimin e një alfabeti të vetëm të gjuhës shqipe, ishte Revolucioni xhonturk më 1908. Intelektualët shqiptarë e shfrytëzuan këtë mundësi që t`u hapej rruga, për lejimin e hapjes së shkollave në gjuhën shqipe. Deri atëherë shkollat ishin organizuar sipas ndarjes fetare; myslimane, ortodokse e katolike, që përdornin shkronja arabe, greke e latine. Por edhe nëse bëhej hapja e shkollave shqipe kishte vështirësi të mëdha, nga se nuk kishte një alfabet të vetëm dhe nuk dinin se cilin alfabet t`ua mësonin fëmijëve. Duke e parë këtë, disa intelektualë shqiptarë shtruan nevojën e intensifikimit të veprimtarisë së tyre në drejtim të unifikimit sa më parë të alfabetit në gjuhën shqipe. Ata ishin të vetëdijshëm se kjo ishte nevojë imanente, mirëpo rrethanat e kohës nuk ishin aspak të favorshme për një grumbullim sa më të shpejtë të të gjithë krerëve të kohës. Iniciativën e mori Klubi “Bashkimi” i Manastirit, i formuar në vitin 1908, dhe kryetari Fehim Zavalani, për thirrjen e Kongresit të Manastirit.
Kongresi i Alfabetit shqip u mbajt prej 14 – 22 nëntor 1908, në Manastir, qytet me një pozitë të rëndësishme në Gadishullin Ilirik. Këtu erdhën përfaqësues nga të gjitha trevat, që përfaqësonin klube dhe shoqëri që vepronin brenda dhe jashtë Shqipërisë. Këtu kishte intelektualë, klerikë, qeveritarë që punonin në administratën osmane, nëpunës, përfaqësues klubesh e shoqërive. Në punimet e Kongresit, u shfaqën shumë vështirësi për unifikimin e alfabetit, ngase secili grup përpiqej që ta fute alfabetin e tij si alfabet kombëtar. Një meritë të madhe padyshim këtu e ka shkrimtari e kleriku Ndre Mjeda, i cili pranoi që të hiqej alfabeti i tij dhe të zgjidhej çështja në të mirë të kombit.
Komisioni, më në fund, vendosi që të zgjidheshin dy alfabete, ai i Shoqërisë së “Stambollit” dhe ai i Shoqërisë “Bashkimi”. Xhonturqit, nëpërmjet përfaqësuesve të tyre, anonin nga alfabeti i Shoqërisë “Stambolli” alfabet me shkronja turko – arabe. Këtë alfabet, edhe pse e zgjodhi komisioni, atë koha vetë e largoi, ngase nuk ishte praktik për shkrimin e gjuhës shqipe. Shkronjat latine i shkonin më së miri natyrës së gjuhës shqipe, si shkronja më të përshtatshme për të shkruar libra, vepra kulturore, letrare e shkencore. Mirëpo edhe alfabeti i Shoqërisë “Bashkimi” i pësoi disa ndryshime më vonë dhe alfabeti më i përafërt me alfabetin që përdorët sot, padyshim ishte ai i Pashko Vasës. Shenjat grafike të alfabetit shqip, për të cilat u vendos në Kongresin e Manastirit, e shprehin orientimin e popullit shqiptar kah civilizimi evropian. Këtu, në Manastir u vulos njëherë e përgjithmonë përkatësia jonë evropiane, qenia jonë pjesë e pandashme e Evropës. Përmes këtij alfabeti ne sot shprehim zgjerimin e dijes, mishërimit, ndihmës së ndërsjellë, ndikimin progresiv të përparimit kulturor, kombëtar e shkencor gjithandej ku çmohet dhe respektohet e drejta e individit.
Me gjithë luftërat, pengesat dhe problemet tjera, mund të theksojmë se vitet 1908 – 1912, për zhvillimin e arsimit shqiptar përbëjnë etapën e fundit dhe më të lartë për epokën e Rilindjes, ku përmbajtja, masiviteti dhe organizimi arsimor arriti në një shkallë të lakmueshme të konsolidimit. Një rol të madh në këtë drejtim ka luajtur pa dyshim unifikimi i alfabetit tonë. Kjo periudhë, si për nga kryengritjet ashtu edhe zhvillimi kulturor – arsimor mund të krahasohet më atë të Lidhjes së Prizrenit. Madje mund të themi se edhe e tejkaloi atë.
Përkujtimi i ngjarjeve më të rëndësishme e më të ndritshme kulturore të popullit tonë është i domosdoshëm sepse në këtë mënyrë ne drejtohemi kah njohja e vlerave dhe respektimi i tyre. Jemi të lumtur dhe krenarë që kultura shqiptare ka krijuar vlera me rëndësi të dorës së parë për njerëzimin, sepse me alfabetin e Manastirit janë botuar kryevepra me vlera kombëtare.
Ju faleminderit!
Prof.assoc.dr Sabit Syla- Drejtor i Institutit të Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë.
Lajmet e fundit
- KONKURS
- Konferenca Shkencore Ndërkombëtare – “SHQIPTARËT DHE LUFTA E PARË BOTËRORE”
- Raport i komisionit përzgjedhës, bashkëpunëtor i lartë shkencor për periudhën Koha e Re- zgjedhje /rizgjedhje
- Raport i komisionit recensues për vendin e punës: Bashkëpunëtor i lartë shkencorë për shek. XX
- Raporti i komisionit recensues – Bashkëpunëtor i lartë shkencor
- KONKURS – Bashkëpunëtor i lartë shkencor