Fjalë e mbajtur, më 28 nëntor 2017 me rastin e ceremonisë së nderimit në Boletin
Fjalë e mbajtur, më 28 nëntor 2017 me rastin e ceremonisë së nderimit në Boletin
I nderuari z. Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli,
E nderuara familje e heroit Isa Boletini,
Të nderuara familje të dëshmorëve,
Të nderuar përfaqësues institucional, e gjithë Ju të pranishëm,
Më lejoni fillimisht të Ju falënderoj, për pjesëmarrjen Tuaj, në këtë ceremoni nderimi, si rast solemn, që më dha mundësinë të ndodhem para jush për të thënë disa fjalë për rolin dhe veprën atdhetare të Isa Boletinit e bashkëluftëtarëve të tij, më rastin e jubileut të 105-vjetorit të shpalljes se Pavarësisë së Shqipërisë.
Historia e popullit shqiptar sa është e bujshme aq është edhe e dhimbshme. Ajo gjatë tërë periudhave historike është e mbushur me ngjarje madhore, por edhe të tilla që rëndonin e dëmtonin shumë vendin tonë. E këtë më së miri e dëshmon edhe jeta dhe veprimtaria e Isë Boletinit, i cili jetoi dhe veproi në kohën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, si kohë e përpjekjeve titanike për çlirim e bashkim kombëtar, duke kaluar me dekada maleve e metropoleve të diplomacive të mëdha në shërbim të çlirimit dhe pavarësimit të vendit tonë.
Lufta për liri të atdheut, e bëri atë strateg e diplomat. Artin luftarak e përsosi me pushkë në dorë, kurse atë të diplomacisë nga ideologu Hasan Prishtina. Aftësia prej luftëtari, dhe modestia e tij më se njerëzore e bëri atë edhe më të afërt e më me ndikim tek masat e gjëra popullore, duke poseduar dhunti prej tribuni popullor e organizator me lidhjet e përhershme që mbante me të gjitha trevat shqiptare, që nga Mitrovica, Pazari e Kumanova e deri në Prevezë e Ohër, duke ushtruar ndikim në ngjarjet më të rëndësishme të Lëvizjes Kombëtare të asaj kohe. U dallua dhe u shqua për mbi të gjitha do të shkëlqejë në udhëheqjen e bashkëkombësve kryengritës, pastaj në kuvendet e shumta kombëtare, si: te Verrat e Llukës, në Kuvendin e Pejës, Ferizajt e Junikut, si dhe në betejat më të mëdha kundër osmanëve, si në Gryken e Caralevës. Epoka historike në të cilën veproi Isa Boletini me angazhimet e tij, e bënë atë të radhitej ndër figurat më të respektuara të kombit, siç ishin: Hasan Prishtina, Haxhi Zeka, Miç Sokoli, Bajram Curri, Ismail Qemaili, Çerqiz Topulli, Hasan Ferri, Dedë Gjo Luli, e shumë të tjerë.
Mbi të gjitha, jeta politike e Isa Boletinit karakterizohet me kthesa të mëdha. Pikë kulmore ishte ngjarja e vitit 1902, kundërshtimi i tij për hapjen e konsullatës ruse në Mitrovicë. Ndërsa, ngritja e tij si një nga udhëheqësit e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare përkoi edhe me shpërthimin e Revolucionit të turqve të rinj, me çështjen e reformave evropiane dhe projektet austro-hungareze dhe serbo-ruse për ndërtimin e hekurudhave në territorin e Ballkanit, përkatësisht nëpër viset shqiptare. Duke qenë një prijës me influencë të madhe, Isa Boletini u bë figurë e rëndësishme si për regjimin hamidian, për xhonturqit, shtetin austro-hungarez dhe serb, të cilët ndodheshin në një garë permanente për të shtrirë influencën e tyre në territoret shqiptare. Por, çështja shqiptare para se të ishte një problem diplomatik, ishte problem i një lëvizjeje të lindur e të zhvilluar mbi truallin kombëtar, ishte çështje e së ardhmes së një populli që ndodhej tanimë prej kohësh, aq më tepër në fillim të shek. XX, në një fazë të avancuar të zgjimit të tij politik e kurorëzuar kjo me aktin e shpalljes së Pavarësisë, më 28 nëntor 1912, ku roli dhe ndikimi i Isa Boletinit me bashkëluftëtarë kishte meritë të madhe, pasi Kosova ishte kthyer në një nga qendrat më të fuqishme të lëvizjes së Rilindjes Shqiptare. Por, ishte politika e dyfishtë ballkanike dhe evropiane që i solli Shqipërisë atë gjymtim territorial që ka pësuar, si më 1878 me Traktatin e Shën Stefanit, si dhe me vendimet e Konferencës së Ambasadoreve në Londër, më 1913. Duke i kundërshtuar vendimet e padrejta të Konferencës së Londrës, Qeveria shqiptare e cila nisi një delegacion nëpër Evropë, kryesohej nga Ismail Qemaili e Isa Boletini.
Në dekadat e para të shek. XX, territoret shqiptare u bënë vatër e luftërave ndërmjet shteteve fqinje për të sendërtuar planet e tyre si dhe dy blloqeve ndërluftuese, Antantës dhe Bllokut Qendror. Në këtë kaos, Isa Boletini u gjend në Konsullatën franceze në Shkodër, i cili pranoi propozimin e konsullit francez për t’u vendosur në Mal te Zi. Dhe në kohën kur ushtritë austriake po përgatiteshin të pushtonin Podgoricën, xhandarmeria dhe ushtria malazeze, më 23 janar të vitit 1916 vrau Isa Boletinin, me dy djem, dy nipa dhe 3 bashkëluftëtarë. Vrasja ia ndërpreu jetën në kulmin e veprimtarisë luftarake e diplomatike, ishte vetëm 52-vjeçar. Në harkun kohor të moshës së tij të prerë, 35 vjet Isa Boletini i vuri në shërbim të atdheut e të kombit i lidhur me një nga drejtimet më themelore të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, me luftën e armatosur për çlirim dhe bashkim kombëtar. “Unë jam mirë kur ashtë mirë Shqipnia!”, – do të thoshte ai.
Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Me rastin e 50-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, më 1962, shteti shqiptar, Isa Boletinin e shpalli “Hero të Popullit”. I tillë ishte Isa Boletini, flakadan i lirisë dhe frymëzim për brezat e ri në gjithë hapësirën shqiptare. Andaj, shumë kuptimplotë është ceremonia e sotme e nderimit këtu në Boletin, nën patronatin e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Kadri Veseli, me rastin e 105-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, fakt që na bënë të mendojmë e të jemi krenar se ëndrra dhe ideali i Isa Boletinit dhe i shqiptarëve atdhetarë të të gjithë brezave është sot një realitet i prekshëm me rëndësi të veçantë në historinë e re shqiptare si një afirmim i fuqishëm i identitetit politik të Kosovës, për të nderuar dhe respektuar jo vetëm Isa Boletinin, por një plejadë të tërë luftëtarësh, të fillimshekullit XX, kontributi i të cilëve me gjakun e tyre qëndron në themelet e lirisë që gëzojmë ne sot, tashmë kur Kosova po hyn në jubileun e 10-të të pavarësisë së saj, fal luftës së drejt të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Andaj, përveç vlerave tjera, kjo ceremoni, është e do të jetë edhe si pjesë kontributore reale në studimet historike, pasi veprimtaria kombëtare e radhit Isa Boletinin në grupin e figurave më emblematike, si shëmbëlltyrë e udhëheqjes luftarake, sakrificës e përpjekjeve për liri kulturore, arsimore, pavarësi politike dhe bashkim të të gjitha viseve shqiptare në një shtet kombëtar. Prandaj, vepra e tij patriotike ka inspiruar breza të tërë se vetëm të bashkuar dhe këmbëngulës do të mund të realizonin aspiratat kombëtare. Për nder të jetës dhe veprës së tij heroike, u thurën këngë në popull, u emëruan sheshe, rrugë, shkolla, universitete dhe u ngritën buste. Ai u bë frymëzim edhe në artin letrar, muzikor dhe në atë pamor. Sot, përkujtimi i ngjarjeve më të rëndësishme e më të ndritshme historike të popullit tonë, është i domosdoshëm, sepse në këtë mënyrë ne drejtohemi kah njohja e vlerave dhe respektimi i tyre. Jemi të lumtur dhe krenarë që historia shqiptare ka krijuar vlera me rëndësi të dorës së parë për njerëzimin. Prandaj, edhe sot e kujtojmë me pietet në këtë ceremoni nderimi jetën dhe veprimtarinë patriotike të Isa Boletinit dhe bashkëluftëtarëve të tij duke mbetur gjithmonë i gjallë kujtimi për ta!
Ju faleminderit!
Prof. assoc. dr. Sabit Syla-Drejtori i Institutit
Lajmet e fundit
- Konferenca Shkencore Ndërkombëtare – “SHQIPTARËT DHE LUFTA E PARË BOTËRORE”
- Raport i komisionit përzgjedhës, bashkëpunëtor i lartë shkencor për periudhën Koha e Re- zgjedhje /rizgjedhje
- Raport i komisionit recensues për vendin e punës: Bashkëpunëtor i lartë shkencorë për shek. XX
- Raporti i komisionit recensues – Bashkëpunëtor i lartë shkencor
- KONKURS – Bashkëpunëtor i lartë shkencor
- Raport i komisionit recensues për pozitën:Bashkëpunëtor i lartë shkencor