Instituti i Historisë në Prishtinë, botoi monografinë “Perspektivat mbi ideologjinë dhe dhunën në Luftën e Dytë Botërore në Kosovë

Sapo doli nga shtypi libri i studiueses Mrika Limani-Myrtaj, i titulluar:“Perspektivat mbi ideologjinë dhe dhunën në Luftën e Dytë Botërore në Kosovë” (Perspectives on ideology and violence in the Second World War in Kosova). Libri përshkruan një periudhë të rëndësishme dhe përplot ngjarje historike siç ishte ajo e Luftës së Dytë Botërore dhe aty na paraqitet një konflikt ishumanshëm dhe kompleks.
Monografia shkencore është e ndarë në 13 kapituj kryesorë dhe përmban një kapitull shtesë me të dhëna sasiore që supozohet të shfrytëzohet si burim i të dhënave dhe mbështetës i kapitujve pararendëse të monografisë. Libri është i ndarë në dy pjesë të trajtimit, ku pjesa e parë i dedikohet perspektivave dhe shtysave ideologjike të pjesëmarrësve në këtë luftë dhe pjesa e dytë i dedikohet analizës sasiore të dhunës. Autorja e shpjegon që e ka bërë këtë ndasi, sepse sipas saj është e vështirë që çdo ngjarje të shpjegohet përmes shtysave ideologjike, poaq sa është e vështirë që çdo ngjarje të shpjegohet përmes dhunës së kalkuluar për përfitime racionale. Për këtë arsye, përgjatë monografisë, autorja përpiqet që t’i bashkojë të dy këto perspektiva me qëllim që të ilustrojë një tablo sa më gjithëpërfshirëse të ngjarjeve specifike gjatë kësaj periudhe. Në pjesën e parë të monografisë, autorja ka trajtuar ideologjitë socialiste ndër shqiptarët, ideologjitë fashiste dhe ekspozimin ndaj nacionalsocializmit në sferën publike shqiptare. Më tutje, brenda po kësaj pjese të monografisë, autorja përshkruan Ballin Kombëtar dhe Legalitetin, ndërkaq në një kapitull të ndarë flet edhe për çetnikët. Në pjesën e dytë të monografisë, te analiza sasiore, autorja përqendrohet te zonat e kontrollit të italianëve dhe ushtrimi i dhunës ndaj civilëve dhe kundërshtarëve. Në kapitullin vijues ajo flet për zonat e kontrollit të gjermanëve dhe ekzekutimit të dhunës, ndërkaq një kapitull i ndarë i dedikohet dhunës në zonat e kontrollit të bullgarëve. Një kapitull i ndarë tjetër flet për njësitet e armatosura lokale, ku si nënkapitull është tema e SS Skënderbeut, vullnetarëve dhe armiqësive etnike. Një kapitull i kushtohet në mënyrë të veçantë organizimeve shtetërore për mirëmbajtje të kontrollit (si të gjermanëve dhe italianëve), ndërkaq kapitulli në vijim flet për ngritjen e lëvizjes partizane në Kosovë.
Së fundi ofrohen përfundimet dhe një analizë statistikore dhe hapësinore e viktimave të luftës sipas dokumenteve zyrtare jugosllave.

2022-06-18T09:28:41+00:00
Go to Top