Instituti i Historisë “Ali Hadri”-Prishtinë, botoi librin e autorit Dr. Luan Tetaj “Kuvendet ndërballkanike dhe shqiptarët në shek. XVI-XVII “, Prishtinë, 2021

Instituti i Historisë “Ali Hadri”-Prishtinë, botoi librin e autorit Dr. Luan Tetaj “Kuvendet ndërballkanike dhe shqiptarët në shek. XVI-XVII “, Prishtinë, 2021, 358 f. ISBN 978-9951-9059-3-0. Ky studim paraqet një vepër të konceptuar dhe trajtuar më kritere rigoroze metodologjike që na jep një pasqyrë reale për historinë politike, kulturore, ekonomike të shqiptarëve në varshmëri me rrjedhat historike të vendeve ballkanike dhe evropiane në shekujt XVI-XVII. Në metodologjinë e punës autori, ka përdorur të gjitha dokumentet e mundshme, duke i krahasuar me burimet relevante të kohës. Duke shfrytëzuar një numër relativisht të madh të burimeve dhe literaturës, përmes interpretimit shkencor autori ka nxjerr argumente dhe fakte të dala nga këto burime. Lënda kryesore e burimeve është nxjerrë nga Arkivat e Romës, Venedikut, Napolit, Spanjës, Austrisë, Kroacisë, Shqipërisë, Malit të Zi, Serbisë etj.
Gjatë shek. XVI-XVII, shqiptarët e mbanin primatin e rezistencës anti osmane duke tentuar që kauzës së tyre t’i bashkoheshin edhe popujt tjerë të Ballkanit dhe më gjerë. Në këtë studim autori trajton aspektin historiografik të përfshirjes së shqiptarëve dhe vendeve tjera të Ballkanit në organizimin e kuvendeve ndërballkanike që për qëllim kishin dëbimin e Perandorisë Osmane nga Ballkani. Trajtimit të kësaj tematike nuk i kanë kushtuar vëmendje të duhur, andaj autori ka bërë përpjekje të suksesshme që ta plotësoj këtë zbraztësi në mbështetje të reja burimore të trajtuara dhe ndërlidhura në aspektin kohor dhe tematik. Vlerësimi analitik i autorit në pjesën e parë ku bënë përpjekje që në mënyrë të hollësishme të analizoj gjendjen e popujve të Ballkanit, rritjen e lëvizjeve çlirimtare të popujt e Ballkanit, kryengritjen me karakter çlirimtar dhe rëndësinë ndërkombëtare të tyre. Në vijim trajton kuvendet shqiptare dhe ndërballkanike, projektet gjatë kuvendeve ndërballkanike dhe kryengritjet gjatë shek. XVII, shqiptarët gjatë luftërave evropiane kundër osmanëve, kryengritjet e kelmendaseve, shqiptaret dhe luftërat aniti-osmene 1983-1699, etj. Autori në këto trajtime thekson se marrëdhëniet mes popujve të Ballkanit kanë kaluar nëpër periudha të ndryshme që në një farë mënyre kanë lenë gjurmë dhe kanë ndikuar në marrëdhënien e tyre në luftën e përbashkët kundër pushtuesve osman. Shqiptarët në fund të shek. XVI dhe gjatë shek. XVII, u bashkuan si asnjëherë më parë më të gjitha forcat e brendshme në bashkëpunim dhe afrime edhe me popujt tjerë të Ballkanit në koordinim më këta të fundit për të kërkuar ndihmë nga shtetet e tjera evropiane. Kuvendet shqiptare dhe ndërballkanike me projektet e tyre të studiuar në këtë studim shkencor nxjerr në pah kontributin që dhanë shqiptarët në synimin e kauzës evropiane për dëbimin e Perandorisë Osmane nga Ballkani.
Studimi ka një qasje të veçantë si me mënyrën e trajtimit ashtu edhe më shumësinë dhe larminë e lendes përfshirëse. Është ndërtuar mbi një bazë të gjerë dokumentesh dhe mbi kriteret e qëndrueshëm hulumtues-shkencor dhe metodologjik, por që i bënë edhe më të vlefshme analizat dhe interpretimet shkencore. Ky studim i autorit është një kontribut i çmuar në historiografinë shqiptare dhe më gjerë.

2022-06-18T09:25:54+00:00
Go to Top