Fjalë rasti në Akademinë përkujtimore me rastin e 20-vjetorit të rënies së heroit, Asllan Fazliut
Të nderuar familjarë dhe bashkëluftëtarë të Asllan Fazliut,
I nderuar, Ministër i Pushtetit Lokal në Maqedoni, Z. Suhejl Fazliu,
I nderuar, ish-Komandant i Zonës Operative të Drenicës, Z. Sami Lushtaku,
I nderuar, Kryetar i Komunës së Skënderajt, Z. Bekim Jashari dhe Z. Ramiz Lladrovc-kryetar i Komunës së Drenasit,
Të nderuar, veteranë, invalidë e familjarë të dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
Të nderuara zonja dhe zotërinj,
Jemi sot këtu, në këtë vit jubilar historik, të këtij përvjetori të 20-të, që ta kujtojmë dëshmorin e kombit dhe heroin e historisë sonë, Asllan Fazliun, i shquar për urtësi, vendosmëri e heroizëm, që ndikoi fuqishëm në mobilizimin e vullnetarëve për forcimin e njësiteve luftarake të UÇK-së, me guximin dhe vizionin e tij prej luftëtari të lirisë.
Pas Epopesë së lavdishme të Jasharajve, të marsit të vitit 1998, familja Fazliu intensifikoi aktivitetet e rrjedhimisht iu përgjigjen kushtrimit të atdheut për liri, duke zgjeruar radhët e celulave të luftës çlirimtare. Asllan Fazliu, kontaktet e para me UÇK-në i kishte me pjesëtarët e saj në Prekaz dhe vendlindje. Pamja fizike, kishte bërë që komandant Ilaz Kodra t’i epte nofkën “Luan” si dhe e emëroi udhëheqës për Gradicë ku më pas filluan edhe përgatitjet e istikameve e u formuan njësitet e para në atë pjesë të Drenicës dhe menjëherë fillojnë të formohen vendet e rezistencës, ku për pikën “Shkaba 1”, emërohet komandant nga Fehmi Lladrovci që përfshinte luftëtarët nga fshatrat: Qikatovë, Gradicë, Gllanasellë dhe Likoshan. Stërvitjet e para taktike dhe ushtarake i bëri me shokë të këtij njësiti, duke u treguar çdoherë entuziast dhe aktiv në organizimin e rojeve dhe mobilizimin e ushtarëve, gjë që realizonte me sukses çdo detyrë, në çdo kohë dhe sipas nevojës.
Në pranverë të vitit 1998, së bashku me disa bashkëluftëtarë ndërmori një sërë aksionesh kundër forcave serbe. Ndërkohë, më 29 qershor shkoi në ndihmë për të konsoliduar radhët e UÇK-së, në Hade dhe në Bardh të Madh, dhe me pëlqimin e dy nënzonave operative të Shalës dhe Drenicës, Asllan Fazliu caktohet si komandant i operacionit në Bardh të Madh, e pas luftimeve për një kohë nuk lejuan futjen dhe përparimin e forcave të këmbësorisë serbe në drejtim të pozicioneve të UÇK-së. Më pas, më 26 korrik të atij viti, merr pjesë në luftimet e zhvilluara në mbrojtje të grykës së Llapushikut. Me fillimin e “Ofensivës së Shtatorit”, në brezin e fshatrave të Qyqavicës, ku përfshihen edhe Qikatova, Gllanasella, Godanc, Gradica e Likoshani, sulmohen me artileri të rëndë. Asllani Fazliu, së bashku me ushtarët e tij, ndodhet përballë një arsenali të madh të forcave serbe, ku pas disa orë luftimesh dhe rezistence, bie dëshmor Shefqet Zeka.
Pas ofensivës së shtatorit, ndërmori disa aksione të koordinuara, si sulmin mbi Fabrikën e Feronikelit, dhe pika tjera në regjionin e Drenasit. Më 22 mars 1999, derisa po konsolidoheshin radhët e njësiteve çlirimtare, në përpjekje për të mos lejuar depërtimin e forcave në Gradicë dhe në zonat ku strehohej popullata civile, e katandisur nëpër malet e luginat e Qyqavicës, dy aeroplanë vëzhgues, kishin identifikuar bazat mbrojtëse të UÇK-së. Të nesërmen, më 23 mars, Asllan Fazliu derisa po hulumtonte vendin e përshtatshëm për ta vendosur në pozicion topin pa dridhje 82mm, në shkëmbin mbi lagjen Fazliu, te vendi i quajtur “Te guri”, u vërejt nga forcat serbe, dhe pas pak filluan të garantonin me artileri të rëndë. Pas një rezistence, bie heroikisht komandant Asllan Fazliu, trupi i të cilit tërhiqet nga bashkëluftëtarët e tij dhe varroset me nderime ushtarake. Rënia ishte një humbje e madhe, për gjithë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ai dha një kontribut të jashtëzakonshëm në ngritjen e moralit të ushtarëve, në mbështetje të tyre, në rekrutimin e ushtarëve të rijnë me qellim të përforcimit të radhëve të UÇK-së dhe mbulimit të vijave të frontit në pjesë të ndryshme të ZOD dhe me gjerë. Familja e Asllan Fazliut, kombit i dha edhe dy dëshmorë të tjerë: vëllain Mehdi Fazliu i rënë më 18 prill, 1999 dhe xhaxhain Milazim Fazliu i rënë më 25 maj po të vitit 1999. Trupat e këtyre dëshmorëve të kombit, sot, prehen të qetë në kompleksin e varrezave në fshatin Gllanasellë. Në mars të vitit 2010, u përurua lapidari ku janë të skalitur portret e këtyre tre dëshmorëve, duke u identifikuar kështu si mishërim i imazhit të “patriotëve të vërtetë shqiptarë”. Fshati Gradicë dha edhe dëshmorë të tjerë, si: doktori Lec Leci Gradica, Antigonë Fazliu, Muhamet Dervishi, Mehmet Saliuku, Hashim Uka, si dhe 16 martirë.
Të nderuara zonja dhe zotërinj,
Lufta çlirimtare e Kosovës, i dha popullit mbarëkombëtar, besimin se mund të bëhet luftë çlirimtare kur ke zemër, kur ke të drejtë, kur je i gatshëm të sakrifikosh, kur je në gjendje të dëshmosh të drejtën tënde dhe ta nxjerrësh pa maskë pushtetmbajtësin e huaj terrorist, ndërsa botës i dha mesazhin se shqiptarët nuk mund të qëndronin edhe më tej të shtypur e të maltretuar, në mbyllje të shekullit XX, kur Evropa po mburrej për standardet e larta të respektimit të drejtave të njeriut, të lirisë e të demokracisë.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës i dha vendit dëshmorë dhe çlirimtarë, të cilët binden botën për drejtësinë e luftës së tyre dhe ndërgjegjësuan faktorin ushtarak ndërkombëtar për të mbështetur këtë të drejtë deri në çlirimin e vendit. Sot emri i dëshmorëve është emri më i pranishëm dhe më se i pranueshëm i periudhës së zhvillimeve më të reja historike që sollën ndryshime rrënjësore në jetën tonë. Lidhur me këtë, thënia e filozofit të madh gjerman Hegel se: “Liria e një populli merr kuptimin e vërtetë, vetëm kur njeriu tregon se është i gatshëm të vdes për të”, u provua më rastin e luftës çlirimtare të Kosovës. Vërtetësinë e kësaj thënie profetike e vulosën me aktin e tyre pjesëtarë të familjes Fazliu e shumë dëshmorë e martirë anë e kënd Kosovës.
Liria, e cila na kushtoi shtrenjtë, ka një kuptim shumë të madh, se është paguar me jetën e më të dashurve tanë, sakrificës që nuk ka çmim pos çmimit të gjakut, e liria rrënjët i ka aty, së këndejmi rënia për liri është pavdekësi, përjetësi, e ne të gjithë së bashku, duhet të jemi krenarë. Dëshmorët nuk kanë nevojë për përvjetorët e rënies, apo për akademi përkujtimore, se ata kanë kryer detyrën ndaj atdheut e kombit. Por, ne, të gjallët dhe brezat që do të vijnë, kemi nevojë për ta, sepse është obligim yni t’i përkujtojmë të rënët, se gjaku i tyre u shndërrua në dritë për ne e vepra dhe amaneti i tyre në liri. Andaj, familja Fazliu ka vend të veçantë, në lirinë, pavarësinë dhe perspektivën tonë. Sami Frashëri, më shumë se një shekull më parë, ka thënë: “Ai që nuk e jep një grosh për atdhe, ai që nuk e jep një copë bukë për atdhe, ai që nuk shkrepë një pushkë për atdhe, ai nuk do të duhej të ketë as vend për varr në atdhe”.
Familja Fazliu jo që dha bukë, ujë dhe pushkë, por dha tre dëshmorë të kombit. Dhe këta dëshmorë që ne sot i përkujtojmë, janë shenjat e kujtesës sonë historike, me të cilët do të mësojmë të ecim të lirë me jetën!
Lavdi Asllan Fazliut e dëshmorëve të kësaj familjeje!
Lavdi dëshmorëve të UÇK-së!
I përjetshëm qoftë kujtimi, respekti e vlerësimi i kombit për ta!
Ju faleminderit!
Prishtinë, 22 mars 1999
Prof. assoc. dr. Sabit SYLA – drejtor i Institutit të Historisë