AKTE SHKENCORE MBI JASHARAJT DHE LUFTËN ÇLIRIMTARE
Instituti i Historisë në Prishtinë, botoi veprën “Jasharajt dhe lufta çlirimtare”, me rastin e vitit jubilar, 20-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kjo vepër është përmbledhje e punimeve, kumtesave dhe akteve të Konferencës Shkencore Ndërkombëtare “Jasharajt dhe lufta çlirimtare”, e cila i ka zhvilluar punimet e saj në Prishtinë, më 6 mars 2018, nën organizimin e Institutit të Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, Institutit të Historisë në Tiranë dhe Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.
Përmbledhja me punime të kësaj Konference Shkencore Ndërkombëtare, elaboron me argumente shkencore, dimensionet humane, kombëtare, politike, ushtarake e diplomatike të luftës çlirimtare e të simbolit të saj – Adem Jashari. Ajo i kushtohet kontributit dhe sakrificës sublime të familjes Jashari, si dhe gjithë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për çlirimin e saj nga sundimi serb. Përbrenda tyre trajtohen dy rrafshe shkencore, të cilat ishin të lidhura ngushtë midis tyre dhe plotësonin njëra-tjetrën: në ndriçimin e trashëgimisë patriotike të familjes Jashari, dhe në trajtimin e luftës çlirimtare të UÇK-së në shumë dimensione të saj. Në rrafshin e parë veçohen risi shkencore mbi Jasharajt, si një vatër e kahershme patriotike përgjatë shekullit XX; për kontributin e Jasharajve në luftën çlirimtare të Kosovës 1991-1999; për rolin dhe dimensionin e luftës së Jasharajve në kuadër të rezistencës së UÇK-së; për qëndresën epike të grave të familjes Jashari gjatë vitit 1998; për jehonën e epopesë së Jasharajve në opinionin shqiptar e të huaj; për dimensionin historik të familjes Jashari; për sakrificën e Jasharajve në shtypin shqiptar dhe atë ndërkombëtar. Në rrafshin e dytë paraqiten të dhëna me interes mbi veprimtarinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës; qëndrimin e diplomacisë dhe të shtetit shqiptar ndaj rezistencës shqiptare në Kosovë; luftën diplomatike të Kosovës në kancelaritë ndërkombëtare; procesin e legjitimitetit të saj dhe të ndërhyrjes së NATO-s; ndihmesën e ushtrisë shqiptare për përgatitjen e UÇK-së; evoluimin e qëndrimit të partive politike në Shqipëri ndaj rezistencës në Kosovë dhe ndikimin e ngjarjeve të vitit 1998 në veprimtarinë e tyre.
Këto punime karakterizohen nga shumë risi shkencore, qoftë faktologjike, qoftë analitike, të cilat përbëjnë një bazë të mirë për të çuar më tej trajtimin shkencor të rezistencës së shqiptarëve në Kosovë në vitet ’90-të, si dhe të historisë së pashlyeshme të familjes Jashari dhe ndikimit të saj në historinë kombëtare më të re. Ato vënë në pah se Adem Jashari dhe anëtarët e tjerë të kësaj familjeje me aktin e tyre sublim, të padëgjuar e të pashembullt, i dhanë UÇK-së vrullin për të bërë atë që mendohej e pamundur, përballjen me makinerinë ushtarake të Jugosllavisë, i dhanë gjithë popullit të Kosovës besimin se liria mund të arrihej nëse kërkohej pa dilemë, por i dhanë edhe botës mesazhin se shqiptarët nuk mund të toleronin më tej të shtypeshin, maltretoheshin e të mbaheshin në robëri, në shek. XX në mes të Evropës.
Publikimi i materialeve të Konferencës Shkencore Ndërkombëtare “Jasharajt dhe lufta çlirimtare”, është vazhdim punës dhe i edicionit vjetor të aktiviteteve e botimeve të Institutit të Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë.