Fjala e hapjes në Konferencën shkencore: “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu në 550-vjetorin e vdekjes”
Prof. assoc. dr. Sabit SYLA
Prishtinë, 16.10.2018
Drejtor i Institutit të Historisë “Ali Hadri”-Prishtinë
Fjala e hapjes në Konferencën shkencore: “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu në 550-vjetorin e vdekjes”
Të nderuar ministra e deputetë, përfaqësues institucional dhe të korit diplomatik, zonja dhe zotërinj, e gjithë ju të pranishëm!
Në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, jemi mbledhur sot, që përmes kësaj Konference shkencore ndërkombëtare të kujtojmë dhe nderojmë, atë që na dha emër si askush tjetër deri më sot – Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, në 550-vjetorin e kalimit të tij në amshim. Jemi sot, këtu, për ta kujtuar dhe respektuar atë që na bën të ndjehemi krenarë, duke
personifikuar një epokë të tërë të historisë kombëtare të shqiptarëve.
Gjergj Kastrioti Skënderbeu hyri në skenën e historisë në një moment tepër kritik për Shqipërinë dhe për fatin e Evropës. Nën udhëheqjen e tij lufta e shqiptarëve u ngrit në një shkallë të lartë e të organizuar, shënoi një kthesë vendimtare në zhvillimin politik të vendit dhe në forcimin e vetëdijes kombëtare të tyre. Figura e tij paraqet një nga ato raste, jo të shpeshta në histori, kur shtresat e ndryshme shoqërore të një kombi takohen me një personalitet të shquar, në të cilën gjejnë shprehjen e vet aspiratat e vetitë e tyre më të mira dhe që për këtë arsye bëhet simbol i bashkimit kombëtar dhe i luftës së tyre të përbashkët. Ai e kuptoi, më qartë se kushdo tjetër, detyrën që shtronte çasti historik, nevojën e bashkimit politik si kusht kryesor për të realizuar mbrojtjen e interesave të vendit. Duke njohur këtë botëkuptim, se shqiptarët nuk mund të arrinin në fitore, pa kapërcyer copëtimin politik të vendit në një varg zotërimesh, pa një bazë organizative të qëndrueshme, pa bashkërendimin e mjeteve dhe të burimeve njerëzore, ekonomike, ushtarake e materiale e të gjitha veprimeve që zhvilloheshin në rrafsh të brendshëm me veprimet e ndërmarra në aspekt ndërkombëtar. Një nga hapat e parë në këtë drejtim qe themelimi, me nismën e nën drejtimin e tij, i Besëlidhjes Shqiptare të Lezhës, që përbënte të parin bashkim të gjerë politik të shqiptarëve.
Aftësitë e Skënderbeut si burrë shteti spikatën edhe në marrëdhëniet me botën e jashtme. Përveç krijimit të marrëdhënieve me shtetet e sferës perëndimore, edhe me shtetin osman ka përfunduar dy marrëveshje. Në vitin 1460 u arrit marrëveshja e bashkëpunimit trevjeçar, ndërsa marrëveshja e dytë është përfunduar në prill të vitit 1463 në Shkup. Ndërkohë, pas luftës, për qytetin e Dejës, më 4 tetor 1448, u nënshkrua Traktati i Paqes me Venedikun. Ky është dokumenti i parë që njohim deri tani, ku Lidhja Shqiptare del si subjekt i pavarur në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Zonja dhe zotërinj,
Me këtë rast, kur po përkujtojmë 550-vjetorin e heroit tonë kombëtar, është e rëndësishme të theksohet dashuria dhe respekti që gëzonte Skënderbeu nga të tjerët dhe roli i tij përbashkues. Kujtimi i Skënderbeut jetoi jo vetëm në zemrën e popullit që e lindi, por vepra dhe figura e tij mori përmasa me rendësi evropiane. Ai u lartësua nga personalitet e shquara evropiane të kohës. Burri i shtetit anglez i shek. XVII, Uiliam Temple, e vë Skënderbeun në radhët e shtatë kapiteneve më të mëdhenj jo mbretër, pranë Belisarit e Huniadit, kurse filozofi frëng, Volter, ka shkruar: “Sikur perandorët bizantinë të qenë Skënderbe, Perandoria e Lindjes do të kishte shpëtuar”. Pra, jo rastësisht është shkruar një literaturë e shumëllojtë, prej qindra vëllimesh, të botuara në shumë gjuhë dhe në katër anët e botës. Skënderbeu i detyroi të gjitha kohërat të flisnin për të. Andaj, veprimtaria kombëtare e radhiti atë në grupin e figurave më emblematike, si shëmbëlltyrë e udhëheqjes luftarake, sakrificës e përpjekjeve për pavarësi politike dhe bashkim të të gjitha viseve shqiptare në një shtet kombëtar. Prandaj, vepra e tij patriotike ka inspiruar breza të tërë, u thurën këngë në popull, u emëruan sheshe, rrugë, shkolla, dhe u ngritën buste. Ai u bë frymëzim edhe në artin letrar, muzikor dhe në atë pamor.
Për fund, urojmë që kjo konferencë dhe i gjithë aktiviteti kushtuar Vitit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, të na shërbej si mundësi për të gjithë studiuesit për t’u njohur me gjetjet e reja shkencore, lidhur me epokën e Skënderbeut. Duke, ju dëshiruar punë të mbarë e të frytshme, i shpall të hapura punimet e Konferencës shkencore ndërkombëtare: “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në 550-vjetorin e vdekjes”.
Ju falënderojmë për vëmendje!