Prof. assoc. dr. Sabit SylaDrejtor i Instituti Historisë Prishtine
Prof. dr. Hamit KabaInstituti i Historisë Tirane
U botua nga Instituti i Historisë, publikimi i përmbledhjes së dokumenteve arkivore të Arkivit Kombëtar të Londrës mbi Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, të autorëve, prof. assoc. dr. Sabit Syla dhe prof. dr. Hamit Kaba. Ky publikim “1981 Demonstratat e Kosovës në Arkivin Kombëtar të Londrës”, është pa diskutim, shumë i rëndësishëm me optikën me të cilën diplomacia dhe politika britanike i kanë konsideruar demonstratat e pranverës së vitit 1981 në Kosovë. Shtrirja përmbajtësore dhe kohore e kësaj provenience dokumentare është mbresëlënëse. Këto dokumente në këtë përmbledhje janë korrespondenca të rregullta diplomatike që i dërgohen Foreign Office-it, përkatësisht Zyrës së Jashtme dhe të Komonuelthit nga misioni i tyre diplomatik në kryeqytetin e Jugosllavisë dhe shkresa diplomatike në formën e vlerësimeve dhe qëndrimeve, që duhej të mbante misioni diplomatik i Mbretërisë së Bashkuar në shtetin pritës të Jugosllavisë, lidhur më zhvillimet këtu. Korrespondencat janë dy drejtimesh, por, dominojnë raportimet diplomatike nga Beogradi drejt Londrës.Forign Officce-i britanik, mbahej i informuar nga dorë e parë pothuaj në baza ditore. Korrespondencat dhe raportet diplomatike kishin, përveç informacioneve të sintetizuara, shpeshherë edhe përshkrime të detajishme të situatës dhe analiza përkatëse. Provinienca e dokumenteve që përmban kjo përmbledhje dominohet, nga korrespondencat, raportet dhe letrat diplomatike e konsullore që vinin nga Misioni Diplomatik i Mbretërisë së Bashkuar në Beograd, dhe misionet konsullore në Jugosllavi, specifikisht nga Konsullata e Përgjithshme e Britanisë në Zagreb. Përmbajtja e këtyre dokumenteve diplomatike mund të përmblidhet në disa tema kyçe, siç janë: nacionalizmi në Jugosllavi; situata e brendshme politike në Shqipëri, Shqipëria – politika e jashtme; dhe marrëdhëniet politike midis Jugosllavisë dhe Mbretërisë së Bashkuar etj. Krahas korrespondencave diplomatike nga Ambasada britanike në Beograd, dhe misionet tjera konsullore në Jugosllavi, në këtë përmbledhje të dokumenteve britanike, zënë vend edhe disa korrespodenca diplomatike e konsullore nga misionet diplomatike të Mbretërisë së Bashkuar në Moskë, të Ambasadës britanike në Athinë, të Ambasadës britanike në Ankara, të Ambasadës britanike në Vjenë dhe të Ambasadës britanike në Abu Dhabi (Emiratet e Bashkuara Arabe). Kryesisht këto korrespondenca i referohen në mënyrë kontekstuale situatës politike në Kosovë pas Demonstratave të vitit 1981.Sa i përket llojit të dokumenteve tjera që zënë vend të rëndësishëm në këtë përmbledhje, duhet konsideruar edhe shumë raporte, analiza dhe vështrime të shtypit dhe medies perëndimore, lidhur me lëvizjet studentore dhe situatën e krijuar në Jugosllavi pas vdekjes së Titos, dhe veçmas pas Demonstratave të vitit 1981. Këtu do të veçonim analizën e Patric Moore në Radio Free Europe, si përmbledhje të shtypit perëndimor me titull: “Ngjarjet në Kosovë në perspektivë”, më pas një artikull analitik të International Heranld Tribune me titull: “Balkan Question” nga korrespondenti i saj në Athinë, dhe një përmbledhje me telegrame dhe transmetime kabllore të BBC-së për ngjarjet në fjalë. Po ashtu, me tejet interes janë analizat e FBIS për stabilitetin e mundshëm të Jugosllavisë e më pas informacionet e telegramet për: Uashingtonin, Athinën, Romën, Vjenën, Parisin, Ankaranë, Moskën, Ukdel, NATO etj., e për vrasjen e ish-kryeministrit shqiptar Mehmet Shehut etj.
Lajmet e fundit
- Konferenca Shkencore Ndërkombëtare – “SHQIPTARËT DHE LUFTA E PARË BOTËRORE”
- Raport i komisionit përzgjedhës, bashkëpunëtor i lartë shkencor për periudhën Koha e Re- zgjedhje /rizgjedhje
- Raport i komisionit recensues për vendin e punës: Bashkëpunëtor i lartë shkencorë për shek. XX
- Raporti i komisionit recensues – Bashkëpunëtor i lartë shkencor
- KONKURS – Bashkëpunëtor i lartë shkencor
- Raport i komisionit recensues për pozitën:Bashkëpunëtor i lartë shkencor