INSTITUTI I HISTORISË “ALI HADRI”-PRISHTINË
INSTITUTE OF HISTORY “ALI HADRI”-PRISHTINA
INSTITUT ZA ISTORIJU “ALI HADRI”-PRIŠTINA

Në kuadër të projektit “Historia e Kosovës”, drejtori i Institutit të Historisë prof. asoc. dr. Sabit Syla, me dy bashkëpunëtorë, ma. sc. Fatmir Arifi dhe ma. sc. Miftar Kurti, nga data 8 deri më 12 korrik, realizuan hulumtime arkivore në Arkivin e Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë. Hulumtimi në fjalë ishte vazhdimi kërkimor i filluar javë më parë në arkivat e lartpërmendura. Si rezultat i punës dyjavore (realizuar brenda këtij muaji), u dërguan në Institutin e Historisë, në mënyrë elektronike, afro 10 000 faqe dokumente të një rëndësie të veçantë.
Dokumentacioni i përket viteve të pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, deri në vitin 1990. Këto dokumente relevante arkivore, si burime me vlerë historike të dorës së parë, ndihmojnë që analizat dhe përfundimet shkencore të jenë sa më të besueshme e më të qëndrueshme përballë kohës dhe kritikes së mirëfilltë historiografike. Mbështetur në dokumente të fondeve të ndryshme, rezulton se Tirana zyrtare ishte në dijeni për shumë zhvillime politike që ndodhnin në atë kohë në Jugosllavi dhe Kosovë. Po ashtu, nga dokumentet vërehen segmente të shumta të hulumtimeve e studimit të rrethanave të përgjithshme për Kosovën dhe Jugosllavinë. Nga ky angazhim i jashtëzakonshëm i shtetit dhe institucioneve të saj, kuptojmë se Republika e Shqipërisë kishte përcjellë me shumë vëmendje, të gjitha zhvillimet në Kosovë, dhe kishte siguruar të dhëna sekrete nga të gjitha burimet e mundshme…! Këto dokumente, sipas gjykimit tonë, janë faktografi shumë e rëndësishme historike, të cilat do t’u shërbejnë studiuesve të Lëvizjes sonë Kombëtare në përgjithësi. Për rëndësinë jetike që paraqesin dokumentet, është nënshkruar edhe deklarata e konfidencialitetit në mes drejtorit të Institutit të Historisë me Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.

Prishtinë, 17. 07. 2019