Konferencë shkencore “Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë” – Instituti i Historisë ‘Ali Hadri’ Prishtinë

Me rastin e 40-vjetorit të demonstratave të vitit 1981, Instituti i Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, në bashkëpunim me Institutin e Historisë në Tiranë, Institutin për Trashëgimi Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup dhe Autoriteti Për Informimin mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit në Tiranë, organizojnë Konferencë shkencore: “Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë”. Kumtesat do të mbahen nga studiues, të cilët do të shtjellojnë gjerësisht pikëpamjet dhe kërkimet e tyre shkencore në kuadër të tematikave të përgjithshme të përcaktuara nga Këshilli Organizues.
Më datën 1 prill 2021, do të jetë Konferenca, e cila do t’i japë mundësinë studiuesve të kontribuojnë me kumtesat e tyre. Kumtesat e Konferencës kushtuar 40-vjetorit të demonstratave, do të botohen në kuadrin e përmbledhjeve të punimeve të Konferencës, të cilat do të përgatiten për botim më së largu deri në qershor të vitit 2022.

Këshilli Organizativ ka parapa këto teza të përgjithshme:

1. Jugosllavia në rrjedhat gjeopolitike të kohës dhe kundërthëniet Lindje-Perëndim
2. Jugosllavia përballë lëvizjeve ilegale në Kosovë, 1945-1981
3. Gjendja politike, arsimore, kulturore e sociale e shoqërisë shqiptare në Kosovë dhe trevat e tjera shqiptare deri në fillim të viteve ‘80
4. Reflektimi i demonstratave të vitit 1981 në zhvillimet shoqërore e politike në Jugosllavi
5. Impakti i demonstratave të vitit 1981 në zhvillimet shoqërore e politike në Kosovë
6. Shtypja e dhunshme e demonstratave dhe procesi i zhbërjes së autonomisë së Kosovës
7. Ndikimi i demonstratave në marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave
8. Shteti shqiptar dhe demonstratat e vitit 1981
9. Dimensioni ndërkombëtar i demonstratave të vitit 1981
10. Jehona e demonstratave në Evropë dhe qëndrimi i shteteve evropiane ndaj tyre
11. Jehona e demonstratave në SHBA dhe qëndrimi i qeverisë dhe shtypit amerikan ndaj tyre
12. Historiografia shqiptare dhe sllave mbi demonstratat e vitit 1981
13. Qëndrimi i shteteve evropiane ndaj emigracionit politik shqiptar
14. Reflektimi i demonstratave të vitit 1981 në diasporë
15. Demonstratat e vitit 1981 në kujtimet e pjesëmarrësve të kohës

2023-11-13T13:59:45+00:00
Go to Top