I nderuar, Baca Rifat,
Të nderuar familjarë dhe bashkëluftëtarë të Beqir Mehës, Ilir Lushtakut, Mustafë Qorrit dhe Avdullah Kodrës,
I nderuar, Kryetar i Parlamentit të Republikës së Kosovës, Z. Kadri Veseli,
I nderuar, Kryetar i Komunës së Skënderajt, Z. Bekim Jashari dhe Z. Ramiz Lladrovci-kryetar i Komunës së Drenasit,
I nderuar, ish-komandant i Zonës Operative të Drenicës, Z. Sami Lushtaku,
Të nderuar, veteranë, invalidë e familjarë të dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
Të nderuara zonja dhe zotërinj,

Jemi sot këtu, në këtë vit jubilar historik, të këtij përvjetori të 20-të, që të kujtojmë katër dëshmorë dhe heronj të historisë sonë: Beqir Mehën, Ilir Lushtakun, Mustafë Qorrin dhe Avdullah Kodrën, të cilët shtrënguan radhët e luftës çlirimtare në shërbim të kombit dhe atdheut.
Beqir Meha, i lindur në Prekaz të Ulët, më 2 shkurt të vitit 1936. Ishte veprimtar i hershem i çështjes kombëtare, mbështetur në frymëzimin atdhetar të familjes. Në fillim të viteve ‘90-ta, ishte një ndër pjesëtarët e grupeve të para të luftës çlirimtare. Kishte kontakte ilegaliteti me familjen Jashari dhe bashkëluftëtarët e tij. Ishte pjesëmarrës në luftimet e Likoshanit dhe të Qirezit, më 28 shkurt 1998. Ishte një nga të fundit bashkëluftëtarë që ishte nda nga Adem Jashari, më datën 4 mars, pasi kishin qenë së bashku për t’i vizituar të plagosurit e Betejës së Likoshanit në Ticë. Pas Epopesë së lavdishme të Jasharajve, intensifikoi aktivitetin duke zgjeruar radhët e luftës çlirimtare, në rajonin e Nënzonës Operative të Drenicës, e me gjerë. Në mars të vitit 1999, duke qenë se luftimet zhvilloheshin nga të gjitha anët, Beqir Meha me bashkëluftëtarë ndodhet në fshatin Rakinicë. Aty takohet me njësitin e fshatit Oshlan, i cili sapo kishte mbërritur me armatim nga Shqipëria dhe merr përsipër për të ndihmuar luftëtarët në drejtim të Oshlanit, në Zonën Operative të Shalës. Por, rreth orës 23:00 të natës së 25 marsit të vitit 1999, bie në pritë të forcave serbe në fshatin Qubrel duke rënë në rrugën e atdhetarisë e të rezistencës, në moshën 63-vjeçare.
Ilir Lushtaku, i lindur më 1 prill 1971, në Prekaz të Ulët. Njihej për së afërmi me pjesëtarët e grupeve dhe celulave të para të luftës çlirimtare në Kosovë. Inkuadrimi i tij në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pati jehonë në shtimin e radhëve të saj. Gjatë zhvillimit të Betejës së Klysyres, më 26 nëntor 1997, me urdhër të komandantit Adem Jasharit, kishte bllokuar aksin rrugor Skënderaj-Drenas te vendi i quajtur “Te betoni”, afër fabrikës së vjetër të tjegullave, me disa bashkëluftëtarë. Kishte qenë pjesëmarrës në luftimet e Likoshanit dhe të Qirezit, më 28 shkurt 1998. Në kuadër të Brigadës 114 “Fehmi Lladrovci”, kishte qenë pjesëmarrës në një sërë aksionesh. Dha kontribut të çmuar në mobilizimin, masivizimin, organizimin, në ngritjen e disiplinës në radhët e formacioneve ku ai shërbeu. Më 26 mars 1999, ka rënë në altarin e lirisë, në Prekaz. Aty ku ai veproi luftoi dhe ra dëshmor, ishte ngritur dhe strukturuar Zona Operative e Drenicës, njëra ndër zonat më të suksesshme ku u zhvilluan betejat, po ashtu ndër më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke u bërë emri i tij motiv për luftën e UÇK-së, për ata që e njohën dhe bashkëvepruan me të si dhe për gjithë luftëtarët që përditë i mbushnin radhët e njësive të Ushtrisë Çlirimtare.
Mustafë Qorraj, lindur në Pemishtë, më 1 prill 1958. Në marsin e vitit 1998, ishte një nga themeluesit e njësitit të parë të UÇK-së, në Pemishtë, ku më pas u emërua komandant i Togut, të Brigadës 112, “Arben Haliti”. Si një ndër organizatorët të masivizimit të luftës çlirimtare dha kontribut të veçantë edhe në zonat tjera të luftës, si artier për depërtimin e ndërlidhjen e luftëtarëve me Zonën Operative të Dukagjinit. Mori pjesë në disa aksione në aksin rrugor Pejë-Mitrovicë, veçanërisht në aksionet e bllokimit të urës mbi Gujavç. Ishte një strateg ushtarak. Aplikoi tre forma të luftës kundër armikut: luftën guerile, frontale dhe të kombinuar. Pas dhjetë ditëve të sulmeve të pareshtura të forcave serbe, më 26 mars 1999, ra heroikisht në betejë te “Kodra e Qarrit”. Të nesërmen nga bashkëluftëtarët e tij u varros te vendi i quajtur “Shpati”, ndërsa pas çlirimit u bë rivarrimi i tij me nderime të larta ushtarake.
Avdullah Kodra, i lindur më 20 tetor të vitit 1975. Ishte, lufta e Jasharajve të cilin e bënë që të priste momentin më të volitshëm për t’ju bashkuar njësitit të lagjes Kodra, i cili siç dihet, ishte në bashkëpunim të ngushtë me Adem Jasharin. Dhe, përfundimisht kryqet në radhët e UÇK-së, për të realizuar ëndërron e vetme të tij. Avdullah Kodra ishte përkrahë komandantit të tij Ilaz Kodra, ku veprimi dhe konsolidimi i radhëve të UÇK-së në Zonën Operative të Drenicës qe shoqëruar me veprime konkrete luftarake ndaj forcave pushtuese serbe. Ishte rreshtuar në njësitin e togës parakaluese, me të cilin ishte pjesëmarrës i disa aksioneve në të cilat u shqua për guximin dhe trimërinë e tij. Edhe pse jeta e tij nuk ishte e gjatë, por e lavdishme, kontribuoi në shtrirjen dhe zgjerimin e UÇK-së, në Zonën Operative të Drenicës e me gjerë, duke qenë në shërbim të luftës derisa ra heroikisht në fushën e nderit, më 29 mars të vitit 1999, në Prekaz të Ulët.
Këta heronj që po i përkujtojmë, artin luftarak e përsosën me pushkë në dorë, kurse lufta për liri të vendit i bëri dëshmorë. Profesionet, mosha, dëshirat, ëndrrat, dhe përgatitjen shkollore profesionale e kishin të ndryshme. Edhe vendet, betejat, pozicionet, çastet, orët, ditët, kur ata ranë ishin gjithashtu, të ndryshme. Por, ata kishin një gjë të përbashkët: ëndrrën për çlirim kombëtar e rënia e tyre ishte sa heroike aq edhe krenare.

Të nderuar të pranishëm,
Në zhvillimet historike, në rrjedhën e viteve dhe shekujve, Drenica qëndron si udhërrëfyese në udhëkryqet e mëdha të historisë, duke qenë jo vetëm epiqendër e kthesave kombëtare, duke zgjuar nga gjumi edhe më skeptikët, por edhe të atyre ndërkombëtare. Nëse nuk do të zhyteshim thellë në histori, por të ndalemi vetëm në shekullin e kaluar, në Drenicë kanë pasur pikënisjen lëvizje e luftëra të rëndësishme ku kanë rënë shumë heronj e dëshmorë. Më 5 maj 1912, mbërriti në këto anë, Hasan Prishtina, për organizimin në vend të kryengritjes dhe në zemër të Drenicës, ai pati mbështetjen e të mirënjohurit Ahmet Delisë, i cili në kryengritjen e vitit 1912, llogaritej ndër udhëheqësit kryesorë. Drenica nuk do ta ndërpriste rezistencën; mori pjesë në kryengritjen e vitit 1913 me qendër në Dibër, në kryengritjen e vitit 1914, në rezistencën e viteve 1916-1918, e në nëntor 1918 Drenica u vetëçlirua nga luftëtarët e saj. Në 22 vjetët e ekzistencës së Mbretërisë Jugosllave nuk e thyen e nënshtruan. Azem Galica së bashku me luftëtarë në një luftë shumëvjeçare, vijoi me krijimin e një zone të lirë, më 1923-1924. Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, nën drejtimin e Shaban Palluzhës e Mehmet Gradicës, u bë qendër e luftës së armatosur kundër ripushtimit jugosllav. Edhe më 1981, me luftën e Tahir dhe Nebih Mehës e më pas, qe vatër që s’ju shua kurrë zjarri.
Drenicën e terrorizuan por rezistoi, e shpronësuan por jo sa deshën, e shpërngulën dhe e kolonizuan por nuk ja ndërruan dot përbërjen etnike të popullsisë, e çarmatosën por nuk e lanë dot pa armë, ia vranë burrat e shquar por nxori burra të tjerë, ajo qëndroi edhe më tej për të përgatitur brezin që do të guxonte të përgjakej përsëri për lirinë, e kjo falë sakrificës dhe gjakut të derdhur për liri të këtyre katër dëshmorëve që po i përkujtojmë sot këtu, e shumë dëshmorëve tjerë. Në këtë drejtim, e gjithë familja Jashari kontribuoi përtej çdo pritjeje, për të forcuar besimin dhe bashkimin mbarëkombëtar, duke vitalizuar dhe rritur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ngriti në këmbë një armatë të zgjedhur çlirimtarësh, si: Beqir Mehën, Ilir Lushtakun, Mustafë Qorrin, Avdullah Kodrën e shumë, e shumë të tjerë. Këta dëshmorë janë nderi dhe krenaria kombëtare, janë shenja e shenjtë e kujtesës sonë historike. Janë gjaku ynë që nuk falet as nuk shkelet. Sepse, ata dhanë jetën që ne dhe brezat e ardhshëm të jetojmë të lirë, të jetojmë të lumtur.
Prandaj, para këtyre dëshmorëve, para veprës dhe sakrificës së tyre duhet të përulemi të gjithë. Dëshmorët ranë për të mos rënë Kosova, për të mos rënë atdheu. Ranë që në këto troje të mos derdhet më gjak, që të mos merr dhenë vaji dhe gjëma, por që në këto troje të këtë vetëm gëzim dhe hare, lindje dhe dasma, këngë dhe valle.

Lavdi dëshmorëve, Beqir Meha, Ilir Lushtaku, Mustafë Qorri dhe Avdullah Kodra!
Lavdi dëshmorëve të UÇK-së!
I përjetshëm qoftë kujtimi, respekti e vlerësimi i kombit për ta!
Ju faleminderit!

Skënderaj, 26 mars 2019
Prof. assoc. dr. Sabit SYLA – drejtor i Institutit të Historisë