Instituti i Historisë “Ali Hadri” – Prishtinë
Institute of History “Ali Hadri” – Prishtina
Institut za Istoriju “Ali Hadri” – Priština

Prishtinë, 09.10.2020

DEKLARATË PËR MEDIA

 

Lidhur me projektin “Mësimdhënia e historisë bashkëkohore e Evropës Juglindore”, që është realizuar nga Qendra për Demokraci dhe Pajtim në Evropën Juglindore (CDRSEE), me seli në Selanik.

Instituti i Historisë-Prishtinë, këto ditë po ndjekë me shqetësim debatin e fundit në mediume të ndryshme, lidhur me botimin e teksteve të përbashkëta alternative të historisë së popujve të Ballkanit, projekt në të cilin ishin të përfshirë edhe tre studiues nga Kosova. Në këtë debat, i cili po shoqërohet me akuza e kundërakuza, e shohim të arsyeshme të sqarojmë për opinionin e gjerë se asnjëri prej tre historianëve të apostrofuar (Jusuf Bajraktari, Fehmi Rexhepi dhe Frashër Demaj) nuk është dërguar nga Instituti. Pjesëmarrja e tyre nuk është diskutuar asnjëherë në Këshillin Shkencor të Institutit, andaj edhe nuk kanë pasur ndonjë miratim apo pëlqim nga organet e institucionit edhe pse të apostrofuarit ishin pjesë udhëheqëse e institucionit (dy prej tyre, ish-drejtorë dhe tjetri, sekretar shkencor).
Pse dhe si janë përzgjedhur nga CDRSEE, pikërisht këta historianë, ne nuk kemi fare njohuri. Instituti i Historisë nuk ka të drejtë ligjore t’ua ndalojë asnjërit prej punonjësve të vet që të marrin pjesë në projekte të ndryshme në cilësinë e ekspertit të pavarur.
Sa i përket përmbajtjes së teksteve, Instituti i Historisë nuk pajtohet me përmbajtjen e tyre. Në këtë kontekst, kërkojmë nga institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës, e në veçanti nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, që të kemi një qëndrim të përbashkët.

D R E J T O R
Prof. asoc. dr. Sabit SYLA